Seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans” , në të cilën do të fillonte rigjykimi u anulua. Gjykatësi i lëndës Ivica Stefanovski njoftoi se arsyeja e anulimit është mungesa e prokurorit Vlladimir Milloshoski i cili është i angazhuar në një lëndë tjetër, ndërsa plotësisht i zënë edhe me lëndën për tragjedinë e Koçanit. Në seancë, ishte prezent i akuzuari i parë, pronari i kompanisë Besa Trans, Bekim Haxhiu dhe avokati i tij Asmir Alispahiq, ndërsa mungoi përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”, Hajredin Muça, pasi ndodhet jashtë vendit.
Mbrojtja, theksoi që në seancën e radhës që do të mbahet më 2 korrik, nëse Muça nuk është i pranishëm, do të sigurojnë person tjetër, ndërsa gjykatësi tha që nëse nuk sigurojnë, atëherë do të caktojë person tjetër sipas detyrës zyrtare.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit shpalli vendimin me të cilin, i ka pranuar ankesat e të akuzuarve dhe e shfuqizoi vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg.
Lënda, nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit të autobusit të Besa Trans më 23 nëntor të vitit 2021 në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona, por me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar. Sipas vendimit të shkallës së parë, e cila bazohej në akuzën e Prokurorisë, Haxhiu, përmes shoferëve që drejtonin autobusin ka përdorur certifikatë licence të rrejshme, që nuk e ka lëshuar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me të njëjtën, mbi 20 herë ka kaluar kufirin e shtetit. Megjithatë, mbrojtja ka mohuar se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës. Ata, insistojnë në formulimin se për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur. Megjithatë, Prokuroria ka deklaruar se provat kanë dëshmuar se autobusi i aksidentuar i kompanisë Besa Trans, në kufi e ka përdorur licencën e përgjithshme, e cila ka të bëjë vetëm me funksionimin e subjektit, në vend të licencës së posaçme. Gjykimi për lëndën ka filluar më 15 nëntor të vitit 2022.