28 June
Ashtu siç e kemi ngritur gjithnjë zërin kundër padrejtësive dhe standardeve të dyfishta që bëhen në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë, Lëvizja BESA edhe sot përsëri i drejtohet publikisht Prokurorisë Speciale Publike (PSP) që deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”, tha në konferencë për media përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Blerim Sejdiu.
“Pavarësisht vendimit të Këshillit të Prokurorëve për rastin “Sopoti”, ne gjykojmë se PSP-ja ka materiale të mjaftueshme që ta iniciojë vetë atë lëndë dhe të mos lejojë që drejtësia e politizuar e dyshes VMRO-BDI të tallet ende me jetën e të përvuajturve të Sopotit dhe të Monstrës”, tha Blerim Sejdiu, BESA.
Në të vërtetë, shtoi ai, të burgosurit e këtyre dy rasteve më të ndjeshme gjyqësore ende janë subjekt i paproceduar i materialeve që Prokuroria Speciale Publike i ka në posedim, ndërsa të premten mund jetë afati i fundit që të iniciohen dhe procedohen këto raste. Lëvizja BESA vlerëson se pa zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve, nuk mund të flitet për situatë stabile ndëretnike dhe kthim të besimit në institucionet e vendit.
Alsat-M

