Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe popullit shqiptar të Kosovës
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thekson se pavarësisht kundërshtive dhe mospajtimeve që kanë pasur ndër vite, ka ruajtur gjithmonë respekt dhe mirënjohje për figurën e akademikut, veçanërisht për rolin e tij në periudhat më të vështira për shqiptarët e Kosovës.
“Kam ruajtur dhe do ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha UÇK”, shkruan kryedemokrati.
Berisha e cilësoi ndarjen nga jeta të Qoses si një humbje të madhe për kulturën dhe mendimin letrar dhe politik shqiptar, duke vlerësuar kontributin e tij.
Postimi i plotë:
Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë.
Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja.
Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një seri veprash në këto fusha.
Pavarësisht nga kundërshti, mospajtime dhe vlerësime të ndryshme që kam patur me Prof. Rexhep Qosen kam ruajtur dhe do ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha UÇK por edhe qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes miqëve të afërmëve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoft dheu i lehtë i tokës amë.


