Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykimi ndaj Beqir Hoxhës nga Prizreni, i njohur si ‘Beqa’ i akuzuar për fajde.
Media ka mësuar ekskluzivisht se ‘Beqa’ është dënuar me 4 vjet burgim dhe me 5 mijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 6 nëntor të vitit 2023 kishte ngritur aktakuzën ndaj Beqir Hoxhës, të cilin e akuzonte se ka marrë shumën prej 78 mijë euro nga të dëmtuarit, në emër të fajdesë.
Ai akuzohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarve, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), ku me rastin e dhënies së të hollave, 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 600 euro kamata mujore.
Aktakuza thotë që në emër të kamatës, viktima F.S., nga muaji qershor i vitit 2016 deri në muajin prill 2023 ka paguar shumën prej 49 mijë e 200 euro.
Sipas dosjes, i njëjti më 18 shkurt 2018 duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, nga i akuzuari Hoxha merr 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga Hoxha se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 500 euro kamata mujore.
Për këtë, i dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5 mijë euro vazhdon të paguajë nga 500 euro kamata mujore, duke i dhënë ‘Beqës’ shumën prej 29 mijë euro.
Në total, i dëmtuari paguan në emër të kamatave shumën prej 78 mijë e 200 euro dhe kur nuk arrin t’i paguajë, Hoxha e paralajmëron se duhet të paguajë sërish nga 200 euro kamata ditore, me ç’rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i merr 12 mijë e 800 euro dhe u arrestua në flagrancë.