Kur agjërojmë në ditë të gjata, duhet të marrim jo lëndë ushqimore që treten lehtë, por që treten ngadalë, përfshi këtu lëndët ushqimore fibroze (grurë, elb, tërshërë, miell, thjerrëza, bishtaja, fasule, oriz etj.) Këto quhen karbohidrate komplekse, treten për rreth 8 orë, kurse lëndët ushqimore që treten shpejt, këtë e bëjnë brenda vetëm 3-4 orësh.
Prim. dr. Mair Iseini
Shumë njerëz e shikojnë agjërimin si një detyrim fetar, por vetëm pak njerëz i dinë përfitimet shëndetësore që sjell ai. Agjërimi është një praktikë e mirë nëse zbatohet siç duhet. Ai nxit eliminimin e toksinave nga trupi, e ul sheqerin në gjak dhe rezervat e yndyrës, promovon zakone të shëndetshme të hajes dhe e rrit imunitetin.
Mund të jetojmë pa ushqim për dy muaj nëse kemi shëndet të plotë, por mund të jetojmë vetëm pak ditë pa ujë. Uji përçon elementet ushqyese nga ushqimet që hamë, si edhe mineralet që e drejtojnë rrugën e këtyre elementeve, oksigjenin në qelizat trupore, si dhe ndihmon rregullimin e temperaturës trupore me anë të djersës. Gjithashtu, është element tepër i rëndësishëm në reaksionet kimike trupore, si tretja dhe metabolizmi. Uji është i nevojshëm për të zëvendësuar humbjen e lëngjeve trupore, si edhe për të larguar mbeturinat ushqimore në formë urine, nevoje, djerse dhe frymënxjerrje. Pa ujë të mjaftueshëm, ne jemi në rrezik helmimi nga mbeturinat tona trupore. Po ashtu, uji shërben si graso për indet dhe për kyçet e trupit. Vërtet dukeni të ngurtë, por trupi juaj përbëhet nga 60-65% ujë te burrat, 50-60% te gratë. Trupi i një njeriu të zakonshëm ka përafërsisht 43 litra ujë, gjysma e të cilit gjendet në qeliza, gjaku është 83% ujë, edhe indet e ngurta kanë 75% ujë, ndërsa kockat kanë 22% ujë. Largimi nga uji gjatë kohës së agjërimit s’është i keq. Në fakt, kjo gjë shkakton konservimin e fluideve në tërë trupin, duke zvogëluar dehidrimin e tij. Trupi ka mekanizmin e tij të brendshëm për konservimin e ujit.
Është i madh numri i mjekëve me renome botërore të cilët vërtetojnë efektet dobiprurëse të agjërimit në organizmin e njeriut. Do të citojmë vetëm disa prej tyre: Dr. Alexis Carrel në librin e tij “Njeriu, ky i panjohur” thotë se gjatë agjërimit shpenzohen dhjamërat dhe lëndët e tepërta të depozituara në trup, e më pas këto zëvendësohen me të reja; kështu ndodh një ripërtëritje në trup.
Dr. Noman, pas një studimi të gjatë, ka vërtetuar se agjërimi gjatë Ramazanit shkakton një ngritje të shënuar të kolesterolit me densitet të lartë – të mirë (HDL) dhe e zvogëlon kolesterolin me densitet të vogël – “të keq” (LDL). Studimi është përcjellë në 32 meshkuj të shëndoshë gjatë muajit të Ramazanit, krahasuar me periudhën para agjërimit. Pas përfundimit të Ramazanit, HDL kolesteroli është ngritur dukshëm (14,3 %) dhe niveli ka mbetur i ngritur edhe një muaj pas Ramazanit, në krahasim me LDL-kolesterolin, që ka treguar zvogëlim sinjifikativ (11,7 %).
R. Habbal dhe autorët nga Qendra Kardiologjike e Spitalit Universitar IBN Roch në Kazablankë (Marok) në studim përfshinë 27 meshkuj dhe 72 femra me hipertension (shtypje të lartë të gjakut) dhe vërtetuan ulje sinjifikative të tensionit të gjakut gjatë muajit të Ramazanit – kjo, për arsye të natriurezës. Agjërimi nxit efektin natriuretik, që e lejon trupin të eliminojë natriumin dhe ujin e tepërt nga organizmi. Kjo lejon zgjidhjen e problemeve kronike me të ënjtura (edemë), ndihmon në uljen e volumit të rritur të gjakut, bashkë me uljen e tensionit të lartë të gjakut.Agjërimi i Ramazanit mund të shërbejë si model i shkëlqyer për hulumtime të metabolizmit të njeriut dhe sjelljes së të ushqyerit. Gjatë 20 viteve të fundit janë bërë përpjekje të shumë shkencëtarëve dhe agjërimi i Ramazanit është përdorur si model për shumë studime metabolike. Shkencëtarët gjatë hulumtimit vërtetuan se gjatë agjërimit niveli i magneziumit në gjak rritet. Magneziumi ka efekt mbrojtës kardiovaskular dhe shërben për prevenimin dhe shërimin e sulmeve në zemër.
-Ai përbën në vete cilësi antiplateletale dhe mbron nga formimi i trombeve.
-Ka efekt stabilizues në membranën qelizore, që vepron në marrëdhënien e kaliumit dhe kalciumit në nivelin membranor; për këtë ai mbron nga disritmitë e zemrës dhe të trurit.
-Agjërimi përmes efekteve të magneziumit parapengon formimin e ateromeve (pllakëzave të yndyrës, të cilat krijohen në enët e gjakut) dhe i zbërthen këto pllakëza, të cilat janë përgjegjëse për shumë sulme në zemër dhe në tru.
-Magneziumi rrit aktivitetin fibrinolotik të gjakut, i cili udhëheq kah prevenimi dhe krijimi i kuagulëve të rinj.
Ramazani ofron shpirt të rehatshëm dhe trup të shëndetshëm. Gjatë agjërimit tajimi i hormoneve përmes gjëndrës së hipofizës rritet, ngase ekziston hormoni anabolik për sintezën e proteinave dhe kolagjenëve, i cili prodhon baraspeshën pozitive të azotit. Ai gjithashtu stimulon eritropoezën dhe sintezën e kolagjenit. Gjatë agjërimit dhe përvojave të ndryshme shpirtërore në Ramazan, substanca të caktuara endogjene përmes trurit dhe palcës kurrizore lirohen në organizëm. Këto substanca quhen opoide. Këto përfshijnë enkefalinën dhe endorfinën, që janë përgjegjëse për eufori, qetësi dhe çiltërsi gjatë kësaj periudhe. Endorfina dhe enkefalina janë dominues natyrorë të dhembjes. Endorfina është përgjegjëse për ndjenjën e kënaqësisë, të cilën e përjetojnë shumë njerëz pas ushtrimeve të sforcuara. Endorfina dhe enkefalina derivohen nga beta-lipotropina. Gjatë lirimit ky ndahet, duke formuar tre produkte aktive kryesore, që quhen meta-enkefalina, gama-endorfina dhe beta-endorfina. Beta-endorfina është më aktivja, 20 herë më e fuqishme se morfina. Përveçse eliminojnë dhimbjen, këta analgjetikë narkotikë shkaktojnë një ndjenjë të fuqishme të euforisë. Kjo ndjenjë pjesërisht është përgjegjëse për sjelljen psikologjike të personave të caktuar që agjërojnë. Kjo ndodh për arsye se truri prodhon sasi shumë të mëdha të endorfinës, ose të enkefalinës në periudhën e stresit intensiv, shqetësimit ose gjatë agjërimit.
Agjërimi nxit efektin natriuretik, që e lejon trupin të eliminojë natriumin dhe ujin e tepërt nga organizmi. Kjo lejon zgjidhjen e problemeve kronike me edemë dhe ndihmon në uljen e volumit të rritur të gjakut, bashkë me presionin e lartë të gjakut. Gjatë agjërimit, trupi shton ndryshimet enzimatike, që ndikojnë në rregullimet e shumë sistemeve, si detoksifikimi nga substancat helmuese, shpenzimi i rezervave dhjamore dhe rezervimi i proteinave. Ky është edhe shkaku i përmirësimeve në gjendjen klinike të pacientëve. Atmosfera shpirtërore gjatë agjërimit e zvogëlon stresin; stresi ndikon në cilësinë e jetës dhe është shkak potencial për shumë sëmundje. Agjërimi ka një ndikim normalizues në sistemin nervor. Zvogëlon shqetësimet në sistemin tretës, si dhe qetëson gjendjen e ankthit.
Gjatë muajit të agjërimit namazet shtesë, si i teravisë dhe të natës, shpenzojnë afro 200 kalori. Ky aktivitet i shpenzon të gjitha ekstra-kaloritë që merren gjatë iftarit. Njëkohësisht, glukoza në gjak rritet, ndërsa gjatë namazit ajo oksidohet në CO2 dhe H2O. Lëvizjet fizike gjatë namazit japin ndjenjën e fleksibilitetit, koordinimit dhe relaksimit; gjithashtu, e zvogëlon stresin, e mënjanon brengën dhe depresionin. Gjatë faljes së namazit tajitet adrenalina dhe noradrenalina, të cilat janë përgjegjës për dinamizëm konstant, që kombinohet me qetësi dhe çiltërsi si pasojë e sekrecionit të enkefalinës, endorfinës e dinorfinës. Është vërejtur që gjatë aktivitetit të kontinuar, efekti i adrenalinës dhe i noradrenalinës gjatë mbetet pas përfundimit të namazit të natës. Agjërimi lehtëson dhe mobilizon eliminimin e substancave të dëmshme nga organizmi, si: kolesterolin, acidin urik dhe mbetjet tjera toksike.
Agjërimi ndihmon detoksifikimin – Ushqimet e përpunuara përmbajnë shumë aditivë. Këta aditivë mund të bëhen toksina në trup. Shumica e këtyre toksinave ruhen në yndyra. Yndyra digjet gjatë agjërimit, sidomos kur ajo është e zgjatur dhe kështu toksinat çlirohen. Mëlçia, veshkat dhe organet tjera në trup janë të përfshira në detoksifikim.
Agjërimi i mundëson sistemit të tretjes të pushojë – Gjatë agjërimit, organet e tretjes pushojnë. Funksionet normale fiziologjike vazhdojnë, sidomos prodhimi i sekrecioneve të tretjes, por me ritme të reduktuara. Ky ushtrim ndihmon për të ruajtur ekuilibrin e lëngjeve në trup. Përpunimi i ushqimit ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Lirimi i energjisë gjithashtu ndjek një model gradual. Agjërimi megjithatë nuk e ndalon prodhimin e acideve në stomak. Kjo është arsyeja që pacientët me ulcerë peptike këshillohen që të agjërojnë me kujdes. Disa ekspertë besojnë se ata nuk duhet të agjërojë.
Agjërimi zgjidh proceset inflamatore – Disa studime tregojnë se agjërimi promovon zgjidhjen e sëmundjeve inflamatore dhe alergjike. Shembuj të këtyre sëmundjeve inflamatore janë: artritet reumatologjike dhe sëmundjet e lëkurës, si psoriasis. Disa ekspertë pohojnë se agjërimi mund të ndihmojë shërimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve, siç është colitisi ulcerativ.
Agjërimi e zvogëlon sheqerin në gjak – Agjërimi e forcon zbërthimin e glukozës, kështu që trupi fiton energji. Ai e zvogëlon prodhimin e insulinës dhe i mundëson pankreasit të pushojë. Glukagoni prodhohet për të lehtësuar zbërthimin e glukozës. Rezultati i agjërimit është reduktimi i sheqerit në gjak.
Agjërimi rrit zbërthimin e yndyrës – Reagimi i parë i trupit që agjëron është zbërthimi (përpunimi) i glukozës. Kur rezervat e glukozës janë harxhuar, ketoza fillon. Ky është zbërthim i yndyrave për lirimin e energjisë. Yndyrat që ruhen në veshkë dhe muskujt zbërthehen për të liruar energji.
Agjërimi rregullon presionin e lartë të gjakut – Agjërimi është një nga metodat pa barna (ilaçe) për uljen e presionit të gjakut. Ai ndihmon për të reduktuar rrezikun nga arteroskleroza (atherosclerosis). Atherosclerosis është bllokim i arterieve nga grimca yndyrore. Gjatë agjërimit dhe më vonë glukoza dhe rezervat e yndyrës përdoren për të prodhuar energji. Ritmi metabolik zvogëlohet gjatë agjërimit. Hormoni i frikës nga fluturimi, siç është adrenalina dhe noradrenalina, ulen gjithashtu. Kjo e mban metabolizmin të qëndrueshëm dhe brenda kufijve. Përfitimi prej kësaj është reduktimi i presionit të gjakut.
Agjërimi nxit humbjen e peshës – Agjërimi nxit humbjen e shpejtë të peshës. Ai i zvogëlon rezervat e yndyrave në trup. Megjithatë, agjërimi nuk është një strategji e mirë për humbje të peshës. Zvogëlimi i yndyrës dhe i sheqerit, rritja e konsumimit të frutave dhe pushimi janë masat më të mira për të arritur zvogëlimin e peshës.
Agjërimi nxit dietë të shëndetshme – Është vënë re se agjërimi zvogëlon dëshirën për ushqime të përpunuara. Ai nxit dëshirën për ushqime natyrore, veçanërisht për ujë dhe fruta. Kjo është një mënyrë që agjërimi nxit një jetesë të shëndetshme.
Agjërimi rrit imunitetin – Kur një individ është në dietë të ekuilibruar në mes agjërimeve, kjo mund të rrit imunitetin. Eliminimi i toksinave dhe zvogëlimi i yndyrave rezervë gjithashtu e ndihmon trupin. Kur individët hanë fruta për iftar, ata i rrisin rezervat e trupit me vitamina esenciale dhe minerale. Vitaminat A dhe E janë antioksidantë të mirë, të pranishëm në fruta, pra ndihmojnë në rritjen e imunitetit.
Agjërimi mund të ndihmojë për të tejkaluar varshmëritë – Disa autorë thonë se agjërimi mund të ndihmojë personat me varshmëri për të zvogëluar dëshirën e tyre për nikotinën (duhanin), alkoolin, kafeinën dhe substancat tjera të dëmshme. Edhe pse kërkohen regjime tjera të nevojshme për të zgjidhur varshmëritë, agjërimi mund të luajë rolin e vet.
Pavarësisht nga këto përfitime, agjërimi ka disa të meta (mangësi). Ai mund të shkaktojë zvogëlimin e sasisë së ujit në trup, që quhet dehidrim. Kjo mund të shkaktojë dhimbje koke dhe madje të shkaktojë migrenë kronike tek personat e predispozuar. Ai mund të përkeqësojë urthin (djegësirën që ndjejmë në grykë) dhe ulcerën peptike (ulcerë në stomak). Gratë shtatzëna, nënat që u japin gji foshnjave, personat të keq ushqyer dhe individët me aritmi kardiake, ose probleme me veshkat, me mëlçinë, këshillohen të mos agjërojnë.
Në anën tjetër, është vërtetuar se te pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda, siç janë: diabeti apo sëmundjet kardiovaskulare, gurët në veshkë etj. agjërimi ka ndikim negativ dhe këta pacientë janë të liruar nga agjërimi dhe nuk duhet ta praktikojnë atë.
Disa këshilla në lidhje me mënyrën e të ushqyerit:
Gjërat që kemi për të ngrënë gjatë gjithë Ramazanit nuk duhet të jenë shumë të ndryshme nga ato që hamë në kohë të tjera dhe, me sa të jetë e mundur, të jenë të thjeshta. Ngrëniet duhet të jenë të tilla që të ndihmojnë për ruajtjen e peshës sonë normale. Krahas kësaj, për një obez Ramazani është muaji më ideal për të rënë në peshë.
Kur agjërojmë në ditë të gjata, duhet të marrim jo lëndë ushqimore që treten lehtë, por që treten ngadalë, përfshi këtu lëndët ushqimore fibroze (grurë, elb, tërshërë, miell, thjerrëza, bishtaja, fasule, oriz etj., të cilat quhen karbohidrate komplekse), treten për rreth 8 orë, kurse lëndët ushqimore që treten shpejt, këtë e bëjnë brenda vetëm 3-4 orësh..
Lëndët ushqimore që digjen me shpejtësi në trup janë sheqeri, mielli i bardhë, si dhe nënproduktet e tyre. Këto quhen karbohidrate të rafinuara ose të pastruara.
Lëndët ushqimore që përmbajnë fibra dhe krunde janë mielli i grurit, rrënjët, fasulja e njomë, bizelja, speci, spinaqi, majdanozi, gjethet e panxharit, frutat me lëkurë, kajsia e thatë, fiku, kumbulla e thatë, bajamja etj.
Duke ngrënë ushqim, duhet bërë kujdes për të ngrënë me masë dhe me sa të jetë e mundur, në mënyrë të ekuilibruar, në mënyrë që ushqimi të përmbajë nga të gjitha lëndët ushqimore, si: fruta, perime, mish, pulë, peshk, bukë, qumësht dhe nënprodukte të qumështit. Ushqimet e skuqura janë të pashëndetshme dhe duhen kufizuar. Këto i hapin rrugë mostretjes, thartirës, ndjenjës së djegies në fyt dhe problemeve të shtimit në peshë.
Sipas mundësisë, shmanguni nga ushqimet e skuqura dhe me shumë yndyrë, mos i parapëlqeni ëmbëlsirat, veçanërisht ato shumë të ëmbla. Në syfyr mos pini shumë çaj, sepse pirja e shumtë e çajit shkakton urinim të tepërt, gjë që i hap rrugë hedhjes nga trupi të kripërave minerale të dobishme, për të cilat trupi ka nevojë shumë. Po kështu, në syfyr mos u ngopni tepër.
Ata që pinë duhan, ta fillojnë pakësimin e pirjes dalëngadalë, qysh disa javë para Ramazanit. Të gjithë e dimë mirë se duhani është i dëmshëm dhe se duhet lënë plotësisht. Por, të mos harrojmë se ka persona që e lënë krejt pirjen e duhanit duke përdorur si pretekst muajin e Ramazanit. Me pak durim dhe zell, është e mundur që njeriu të shpëtojë krejt nga vesi i të pirit të duhanit.