Ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, gjatë vizitës së djeshme në zyrat e Alternativës në Kumanovë, në aksionin për dhurimin e gjakut, paralajmëroi se është duke rrjedhur procedura për furnizim me mamograf për Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë. Ai premtoi se më së voni për katër muaj, do të zgjidhet ky problem shumë vjeçar.
“ Unë si dhe ministrat tjerë, do të vazhdojmë me besim, por dua të them se për rreth 4 muaj presim mamograf dhe aparatura tjera të instalohen në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë. Kjo është garanci pasi që bëhet fjalë për financa që janë siguruar paraprakisht nga Banka Botërore dhe tashmë jemi në fazën e përfundimit të listës se cila shtëpi e shëndetit publik ka çfarë nevoja ose si intervenim urgjent, kështu që mamografi është paraparë në Kumanovë”, deklaroi ministri Bekim Sali.
Spitali në Kumanovë që shërben rreth 200.000 banor nga viti 2017 është pa mamograf. Aparati i vjetër u prish, kështu që pacentët që duan të kryejnë kontroll me mamograf shkojnë në qytete tjera të vendit.



