Ilija Dimovski i VMRO DPMNE-së vazhdon të këmbëngulë se temë e bisedimeve me BDI-në rreth formimit të Qeverisë në asnjë moment nuk ka qenë deklarata e përbashkët e partive shqiptare. Sipas tij, fakti që BDI nuk koalicionoi me VMRO PMNE-në është pikërisht mospranimi i kësaj platforme.
Por, edhe nga BDI-ja vazhdojnë të këmbëngulin se partia e Nikolla Gruevski plotësisht i pranoi kërkesat për dygjuhësinë, ndërsa pengesë e vetme ka qenë vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.
“VMRO DPMNE absolutisht nuk ka pranuar dhe nuk ka biseduar për të ashtuquajturën platformë nga Tirana. Këtë gjë e kemi potencuar dhe kumtuar tashmë disa herë. Megjithatë, për fat të mirë ishte kumtuar edhe nga vetë BDI se dallimi mes VMRO-së dhe LSDM-së është se kjo e fundit ka pranuar platformën e Tiranës”, deklaroi Dimovski i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq, nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta nga ana tjetër demanton Dimovskin. Në emisionin “Rruga Drejt” të Alsat-M Bejta tha se VMRO DPMNE-ja kishte propozuar dygjuhësisë në uniformat e policisë.
“Ai ka qenë propozim i tyre, me të cilin jemi pajtuar edhe ne që policia shqiptare t’i ketë në gjuhën shqipe. Ai është propozim i atyre, që uniformat e policisë shqiptare të jenë në dy gjuhe, në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe”, deklaroi Bejta.
Nga partia e Ali Ahmetit njoftuan se koalicioni me VMRO DPMNE-në nuk u arrit për shkak të qëndrimeve të ndara rreth Speciales. Por VMRO-ja insiston se ndarja me BDI-në erdhi pasi Gruevski nuk ka pranuar platformën shqiptare.