Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta premton se nëse e merr besimin e qytetarëve do të rikthehet në ritmin e punëve që ai i ka realizuar gjatë udhëheqjes së tij me këtë komunë. Si një prej projekteve më me prioritet përmendi hapjen e bulevardit prej rrugës së Dibrës deri te Gjykata Themelore ku mbi lumin Vardar, tha se do të ndërtohet një urë me katër korsi. Përveç projekteve të shumta infrastrukturore, Bejta premtoi pastërti dhe ruajtje të hapësirave të gjelbra, depolitizim të arsimit, zhvillim ekonomik dhe fuqizim të rinisë përmes kulturës dhe sportit.
“Projekti i cili është më i kërkuar nga qytetarët është hapja e bulevardit prej te Rruga e Dibrës e deri tek Gjykata Themelore, ku mbi lumin Vardar do të ndërtohet ura e dytë me katër korsi, kjo do t’u mundësojë qytetarëve që të shkarkohet komunikacioni dhe qendra e qytetit të jetë më e lirë dhe të mos bëhet rrëmujë, kur vijnë në vendlindje bashkëqytetarët tanë. Projekti i dytë që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Gostivarit është ndërtimi i rrugës Forinë-Gostivar, rrugë që lidh vendbanimet Çegran, Forinë dhe Çajlë, kjo rrugë do të bëjë shkarkimin e komunikacionit sidomos gjatë periudhës së verës dhe të dimrit”, deklaroi Nevzat Bejta, Kandidat i VLEN-it për kryetar të Gostivarit.


