Karvani i takimeve parazgjedhore të kryetarit të Shtabit Komunal Zgjedhor, kryetarit të degës së Gostivarit dhe nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Nevzat Bejta të dielën ndaloi në fshatrat e Malësisë Simnicë dhe Xhenovicë.
Në këto dy vendbanime, thuajse të gjithë kryefamiljarët dolën për të pritur kryetarin Nevzat Bejta i cili i njoftoi nga afër me platformën politike dhe kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 11 dhjetorit nga radhët e BDI-së.
Para banorëve të dy vendbanimeve të Malësisë, kryetari Bejta vuri në dukje që mbështetja institucionale nuk ka munguar dhe se banorët e këtyre fshatrave asnjëherë nuk janë parë si vota dhe për interes politik.
“Gjatë mandatit tonë në Komunë, realizuam shumë projekte në këto dy fshatra. U ndërtua rruga në mëhallën e Bigorit, në fshatin Simnicë u asfaltuan rrugët e fshatit dhe u hap rruga që lidh fshatin me magjistralen Gostivar – Kërçovë. As kush nuk besonte që rruga do hapet përmes fshatit Cerovë. Cerovasit historikisht nuk kishin lejuar hapjen e rrugës për fshatin e Xhemë Hasës. Ne arritëm të bindim popullatën lokale maqedonase që kjo rrugë të hapej. Sot rruga funksionon dhe banorët e Malësisë së Thatë duke nisur nga Strajani, Tërnova, Padalishti, Sërmnovë, Gjenovica dhe Simnica, mund të lëvizin drejt magjistrales pa u dashur të zbresin në qytet. Rruga u shkurtua për gati 30 kilometra”, tha Bejta duke shtuar që gjithsej investimet ne fshatrat Gjenovicë dhe Simnicë në afatin kohore prej vitit 2013 deri në vitin 2016 kapin vlerën prej 65.122.864 denarë apo rreth 1.058.908 Euro.
“Sot këtu shohë gjitha familjet e fshatit. Kjo tregon që ju jeni mirënjohës për punët që i realizuam në vendbanimet e juaja. Dikush as që u llogarit juve, sepse jeni pak banorë dhe keni pak vota. Ne nuk e pamë këtë gjë por investuam të rregullojmë fshatrat tona. Është politikë vizionare. Shumë shpejt këto fshatra do të lulëzojnë me zhvillimin e ekonomisë familjare. Infrastruktura u ndërtua. Ushqimet bio po bëhet të kërkuara në treg. Do vije koha kur nga qyteti do të vijnë në oborret e juaja t’i blejnë ushqimet bio. Zonat rurale kanë perspektivë dhe këtu duhet t’i krijojmë kushtet bashkëkohore”, tha Bejta, i cili para banorëve të dy fshatrave prezantoi katër kandidatët për deputetë të regjionit të Gostivarit nga radhët e BDI-së.
Bejta ftoi banorët e fshatrave Simnicë e Gjenovicë, që të enjten me fillim prej orës 19 të marrin pjesë në tubimin përmbyllës së BDI-së në sheshin e qytetit në Gostivar.