Lëvizjet e fundit në Ballkan dhe prezenca gjithnjë e më shumë e SHBA-ve për të zgjidhur problemet në këtë rajon të vogël. Trump me politika të qarta dhe roli në zbehje i BE-së me parimin “dialogim pa fund”, por pa zgjidhje afatgjatë. Flasin analistët Baton Haxhiu, Fitim Zekthi dhe Kristaq Xharo.
Preteksti i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore nisi nga Ballkani, pas vrasjes nga një organizatë serbe e trashëgimtarit të Perandorisë Austro-Hungareze, Arkidukës Franc Ferdinandi, gjatë vizitës që pati në Sarajevë. Ajo shkrehje plumbash nxiti një konflikt që përfshiu shumë shtete, përgjatë viteve 1914-1918, duke lënë në fund 10 milionë të vrarë. Serbia është po aty, e madje risolli në jetë vdekje e masakra nga luftëra të tjera pas viteve 90’ në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Shumëkush mendon se ishte tjetër kohë, por problemi i kufijve mbetet prezent me secilin shtet në Ballkan, duke mos përjashtuar askënd, por dy prej tyre janë më të ndezura. Kosova dhe Serbia janë në një dialog të vështirë, por jo aq beftas presidenti Hashim Thaçi u investua për një marrëveshje të madhe, që sipas tij dhe homologut serb Aleksandër Vuçiç nevojitet një “korrigjim kufijsh”, që do sjellë paqe të gjatë dhe njohje dypalëshe. Ideja ka gjetur më shumë përkrahje në Serbi, ndërsa Kosova vijon të jetë e përçarë, duke këmbëngulur për mos ndryshim kufijsh. Por kjo paqe e madhe mes dy vendeve a do të ishte nxitje për konflikte të reja, kur të gjithë vendet e Ballkanit pretendojnë për “padrejtësi kufitare” dhe me fqinjët më shumë kanë luftuar sesa bashkëjetuar në paqe? Politikat në Ballkan kanë ndryshuar, jo më mes vendeve që gjithnjë gjejnë shkak e mundësi për konflikt, por nga hedhja në treg e linjave të reja ndërkombëtare. Gjithnjë e më shumë po flitet për një ndryshim kursi gjeostrategjik me Ballkanin të SHBA, që pas ardhjes në pushtet të presidentit Donald Trump, ndërsa BE tenton të mbajë në “paqe të brishtë”, pa guxuar të marrë vendime të dhimbshme, me disa të panjohura. Më e fundit ishte kancelarja gjermane Angela Merkel, që u shpreh se: “çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë dhe këtë duhet ta përsërisim gjithherë, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet edhe ardhmëria evropiane e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”-deklaroi Merkel, që u kujdes të theksonte se ishte mendimi i saj, por mbetet e qartë se shpreh mendimin e vetë BE-së. Diplomacia e drejtpërdrejtë që përdori Markel mund të jetë e ndryshme nga ajo amerikane, që njeh lobimin, diskutimet jashtë publikes, apo marrëveshjet e mëdha të dakordësuara në parim, që më pas hidhen në treg me idenë e diskutimit, por realisht vendimmarrja duket e caktuar më parë. Nëpër Ballkan është kryer një tur jo pak i rëndësishëm, që gjithsesi tregon se është një erë tjetër. Ish-strategu i Trump, Steve Bannon (ndoshta edhe këshilltar i padukshëm) i presidentit, mendohet se ka patur takime jozyrtare por të rëndësishme me kryeministren serbe të Bosnjës, Zeljka Cvijanoviç, dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa takimi midis ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit, John Bolton diçka kanë sjellë… Dhëndri i Trump dhe këshilltari Bolton, njihen për lobime të forta dhe krijim të politikave të reja, qasja e të cilëve mbetet për shtrirjen edhe më të madhe të influencës amerikane. Por ka edhe qëndrime të qarta që pavarësisht zhvillimeve të reja, politika amerikane në lidhje me Ballkanin, e veçanërisht Kosovën, nuk ka ndryshuar. Diplomati i karrierës Philip Kosnet tha se: “Qëndrimi ynë për Kosovën nuk ka ndryshuar”-ndërsa shton se “ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra dhe të dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja”. Analisti Baton Haxhiu në një analizë të thelluar për “Mapo” mendon se ka ardhur koha për vendime të mëdha dhe sipas tij Presidenti Thaçi po e realizon këtë më së miri dhe nëse do arrihej një marrëveshje, ajo nuk do sillte “precedentë të rrezikshëm”… Gjithashtu, gjykon se ka qasje tjetër të SHBA-së për Ballkanin, që pas ardhjes së Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Analisti dhe pedagogu Fitim Zekthi shprehet se Trump po ndjek një politikë “Amerika e Para”, duke krijuar një lloj diktati që ka prishur estrablishmentin tradicional, por për vendime të mëdha ka kohezion. Sipas tij, Kosova është investim amerikan dhe nuk do ketë ndryshime të dukshme politike në lidhje me këtë çështje. Pedagogu Kristaq Xharo gjykon se roli i SHBA-së jo vetëm nuk u zbeh, por mund të flitet për një ‘rikthim’ në rajon. Këtë e argumenton me rolin që luajti në krizën maqedonase dhe më pas anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, tregoi që SHBA shumë shpejt do ta rigjeneronte aksionin gjeopolitik.
Baton Haxhiu, analist: “SHBA për Ballkanin, tani me Trump gjithçka është ndryshe”
Pas një faze paqartësie dhe shtyrjesh të proceseve dhe agjendave lidhur me Ballkanin, duket se një sens i qasjes ‘finalizuese’, ‘zgjidhëse’ të tipit ‘emri final i Maqedonisë’, ‘deti Greqi-Shqipëri’ apo gjëra në horizont: ‘korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi’ apo më larg, ‘statusi i republika Srpska’. Në parim pa hyrë në çështjet konkrete: A është një finale procesesh të gjata apo konturet e një gjendjeje të re për Ballkanin?
Një prej komponentëve kryesore politikë tё BE-sё nё Ballkanin Perendimor ёshtё pёrdorimi i fuqisё kushtëzuese të procesit të zgjerimit për të përmbyllur të gjitha kontekstet bilaterale në rajon. Kjo çështje është formuluar në mënyrë eksplicite edhe në Strategjinë e Zgjerimit të Junkerit të publikuar në Shkurt të këtij viti. Një qasje e tillë vjen pjesërisht edhe nga evoluimi i politikave të BE-së nëpërmjet përvojave të zgjerimit. Për shembull, importimi i çështjes së hapur të kufijve midis Kroacisë dhe Sllovenisë lidhur me Piranin është manifestuar në një qasje më rigoroze të BE-së lidhur me domosdoshmërinë e përcaktimit paraprak të linjave kufitare në veçanti dhe mbylljes të kontesteve bilaterale në përgjithësi. Kjo klimë politike pastaj ka dhënë efektet e saj në çështjen e ndryshimit të emrit për Maqedoninë, procesin e përcaktimit të kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë, demarkacionin territorial midis Kosovës dhe Malit të Zi dhe, së fundi, marrëveshjen finale për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë. Përcaktimi i vijës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë, pra, pjesë e pashmangshme e marrëveshjes për normalizim. Sidoqoftë, mbetet një çështje tjetër dhe ende e hapur nëse kjo nënkupton korrigjimin e kufirit si inkorporim i Preshevës në Kosovë. Përderisa përcaktimi i vijës kufitare është esencial në këtë proces, shkalla e ndryshimeve në terren është pjesë ende e diskutueshme midis aktorëve të përfshirë në bisedime. Pra, për të dhënë një përgjigje në pyetjen tuaj, përderisa aktualisht Ballkani Perëndimor është në një finale procesesh që do të manifestohet si etablim i një gjendjeje të re, krejt kjo fazë involvim edhe një gamë të gjerë çështjesh që do të hapen dhe prodhojnë tensione ndërkohë. Kjo duket se do të prodhojë efektet më intensive në fazën finale të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Marrëdhëniet transatlantike, ato Rusi-SHBA, me impakt në rajone të tjera të botës etj., shumëçka po lëviz në politikën e Shtëpisë së Bardhë të erës Trump! A dalloni që diçka e re ndryshe po konturohet edhe për Ballkanin nga administrata e re amerikane?
Keni lexuar analizat së fundi, shkrimtarë, politikanë e gazetarë, janë në hartën e vjetër të gjykimeve. Mendojnë më shumë për kutinë e pandorës se sa për Kosovën. Kolegët e mi kanë një gjykim të vjetruar. Gjykimet janë të shpjeguara mbi një ushtrimore të fëmijëve që sapo kanë hyrë në shoqërinë civile në vitet 2006, ose si në vitet e para të presidencës së Obamas. Tani është Trump president. Gjithçka është ndryshe. Çfarë praqet hapja e “kutisë së pandorës” kur të gjitha vendet janë pjesë e NATO-s, hiq Bosnjën. Prandaj, ndonjëherë duke dëgjuar kolegët e mi, unë mendoj se Thaçi është gati të përcaktojë rendin e ri botëror dhe se Kosova, e jo Mali i Zi, mund të fillojë Luftën e Tretë Botërore, ose së paku të themelojë Perandorinë e Re Ruse. Dhe, po, ardhmëria e Maqedonisë do të vendoset në Prishtinë dhe jo në Shkup. Edhe Bosnja. Mbi të gjitha dhe kundër të gjitha mosmarrëveshjeve ne do të bëjmë Rusinë më të fortë brenda Serbisë, duke u mundësuar atyre që të përparojnë më shpejt në BE?! Për çka është shkruar deri sot?! Gjithçka, përveç Kosovës. Gjithçka, por neve na duhet përballja me një mundësi unike për të bërë marrëveshje me Serbinë, marrëveshja për shtetin funksional, marrëveshjen e vërtetë për të ardhmen perëndimore të Kosovës. Në këtë moment në shtetësinë e Kosovës përfitimet e veprimit – dhe rreziqet e mosveprimit – janë shumë të mëdha. Nëse e tejkalojmë interesin e fuqive të mëdha ne mund të harrojmë lehtë vetveten. Dhe unë jam i sigurt se SHBA dhe Europa, me ose pa Amerikën e Parë, me ose pa Brexit, janë mjaft të forta për të përballuar Rusinë dhe për të qëndruar për demokraci liberale, të qëndrojnë për dhe prapë Maqedonisë në NATO dhe të krijojnë një Bosnjë si shtet funksional. Problemi i vërtetë për të gjithë këtë shfaqje të zemërimit është se për shkak se ata nuk e pëlqejnë lojtarin që luan, prandaj duan ta shkatërrojnë lojën. Vetëm se këtë herë në rrezik është shumë më tepër se rendi politik. Kësaj radhe bëhet fjalë për mundësinë historike për Kosovën, është rasti që të shkojë përpara nga frika dhe zemërimi me Serbinë, të shkojë në marrëdhënie që do të mundësojnë më shumë prosperitet për të dy kombet. Thaçi dhe Vuçiç mund ta bëjnë këtë tani. Dhe marrja e marrëveshjes do të ndihmojë në krijimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe duke dëmtuar agjentët e kaosit dhe ndikimin e Rusisë në rajon. Prandaj humbës janë të gjithë ata që sundohen nga zemërimi dhe frika.
Politika amerikane, krahas kancelarisë funksionon fort edhe si lobby, si kontakt personal. Kemi parë kohët e fundit lëvizjen në këtë drejtim: Takimet e dhëndrit të Trump me politikanë ballkanikë, kemi parë strategun e Trump, Bannon nëpër Ballkan etj. lajme si këto. A kanë, a do të kenë këto elemente impakt në formësimin e një politike të re të SHBA për Ballkanin?
Presidenca aktuale e ShBA-ve duket të jetë shfaqje e dy tendencave kryesore politike të kodifikuara në strukturën institucionale amerikane: nga njëra anë, sistemi i konsoliduar i politikave të jashtme që funksionon në fazë të politikave të trashëguara dhe planeve strategjike afatgjate, pavarësisht ndryshimeve të pozitave në administratën shtetërore dhe, nga ana tjetër, shkalla e gjerë e kompetencave të Presidentit dhe mundësisë të konsiderueshme për manovrim të pavarur politik. Marrëdhënia SHBA-NATO, për shembull, është shembull ilustrativ për të mbështetur këtë pohim: pavarësisht se qëndrimi për tërheqje nga NATO i Presidentit Trump përgjatë fushatës zgjedhore rezultoi i pamundur për shkak të forcave politike në SHBA përtej Presidentit, megjithatë ai së voni ka prodhuar komplikime të shumta me kërkesat e tij për rritje të buxheteve nacionale të shteteve anëtare për mbrojtje. Pra, roli individual i Presidentit mban megjithatë një peshë të veçantë në prodhim të politikave të SHBA-së. Qasja politike e Presidentit aktual të SHBA-ve, ndryshe nga ajo e Obama-s, nuk është fare vlerore por krejtësisht transaksionale dhe pragmatike. Në rastin e Krimesë, për shembull, Presidenti amerikan bëri një tërheqje të papritur duke thënë se kjo është një dështim i Obama-s që ai nuk ka mundësi ta riparojë. Si rrjedhojë, ajo çështje u la kryesisht në agjendën e BE-së dhe Rusisë. Më konkretisht, në rast të Kosovës, administrata e Trump ka trashëguar përkushtimin amerikan për Kosovën dhe angazhimin e saj në konsolidim të shtetësisë. Sidoqoftë, për shkaqe pragmatike dhe me kërkesë eksplicite për zgjidhje të shpejta dhe efektive, ajo shquhet për një qasje tepër me fleksibile në raport me procesin e negociatave Kosovë-Serbi. Për herë të parë administrata amerikane kërkon propozime kreative prej palëve për të përmbyllur çështjet e hapura midis tyre në formë sa më të shpejtë. Propozimi i ndryshimeve të linjave kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, të pranueshme për palët por edhe për vetë SHBA-në dhe Rusinë, është një prej produkteve më konkrete të kësaj qasjeje politike.
Kosova ka qenë një çështje ndërkombëtare e planit të parë, së paku nga 1974. ‘Njësi konstitutive e Federatës Jugosllave’, ‘Kosova, vija e kuqe për Ballkanin’, ‘rezoluta 1444 e Këshillit të Sigurimit’, ‘Pavarësia e kushtëzuar’, ‘dialogu Kosovë – Serbi’, ‘demarkacioni me Malin e Zi’, ‘Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare’. Por të gjitha duket se nuk mjaftojnë pa një finalizim Kosovë- Serbi. Në këtë kontekst propozimi i ri dhe i papritur i Thaçit çfarë përfaqëson sipas jush?
Propozimi i Thaçit për korrigjim kufijsh nuk është as i ri as i papritur. Çdo person i familjarizuar minimalisht me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi është i informuar se një çështje e tillë qëndron në tryezën e bisedimeve në Bruksel prej kohësh. Sidoqoftë, faktorë të ndryshëm brenda BE-së kanë patur rezervat e tyre në raport me këtë alternativë për shkak të efekteve të mundshme destabilizuese në terren dhe veçanërisht implikimeve të tij në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pavarësisht rezervave të BE-së tashmë është krejtësisht e qartë që procesi i kompletimit të shtetësisë të Kosovës dhe avancimi i saj ne relacione ndërkombëtare është drejtpërdrejt i kushtëzuar nga anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë në përgjithësi dhe nga anëtarësimi në OKB në veçanti. Anëtarësimi i Kosovës në OKB me kapacitete shtetërore kërkon edhe pajtueshmërinë e Rusisë për zgjidhjen eventuale Kosovë-Serbi. Përderisa zgjidhjet e ofruara nga BE-ja deri më tash nuk kanë dhënë as efektin e dëshiruar në terren por as nuk kanë siguruar një mbështetje më të gjerë ndërkombëtare në këtë drejtim (madje as brenda vetë BE-së në tërësi: kujto qëndrimet e Spanjës), hapja e opsioneve të reja po bëhet gjithnjë më realiste. Korrigjimi i kufijve, pra, është një formulë që ofron pajtimin e palëve në negocim për shkak të marrjes së Preshevës dhe dhënies të një pjese minore të Veriut (assesi Veriun e Kosovës në tërësi), por edhe aprovimin e forcave krurciale politike si SHBA-ja dhe Rusia. Në këtë kuptim, një proces i tillë është konceptuar si mbyllje e kontesteve bilaterale Kosovë-Serbi që siguron pranimin përfundimtar të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe involvimin në mekanizmat kryesorë ndërkombëtarë. Sidoqoftë, një proces i tillë është ende në diskutim e sipër dhe epilogu i tij nuk mund të parashikohet nga kjo pozitë.
Cilat janë garancitë që cilado marrëveshje për ‘korrigjim kufijsh’ Serbi- Kosovë nuk do të hapë precedentë për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të ristartonin…..si gjithnjë luftërat e pafundme ballkanike?
Një proces i tillë nuk mund të konceptohet thjesht në terma të garancive objektive që korrigjimi territorial Kosovë-Serbi nuk do të prodhojë efekte askund tjetër në rajon. Sidoqoftë, nëse një proces i tillë bazohet në parimin e konsensusit midis palëve për ndryshim territorial, gjithçka rezulton të jetë jo vetëm në përputhje me parametrat e Helsinkit por njëherazi edhe afirmim që kjo praktikë është e vlefshme vetëm në rast të dakordimit paraprak ndërshtetëror. Pra, nga pikëpamja parimore, ajo mund të aplikohet vetëm në rastin e Kosovës edhe Serbisë. Sidoqoftë, marrë në konsideratë klimën politike që do të krijohet nën efektin e këtij procesi dhe tendencat në ngritje secesioniste të Republika Srpska-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, një proces i tillë mund të ushtrojë ramifikime edhe në sferën tashmë të paralizuar nga brenda politike boshnjake. Pikërisht mbi këtë konsideratë qëndron edhe rezerva e madhe e BE-së në lidhje me procesin e korrigjimit territorial. Efekti i tij i mundshëm në sfera të tjera në Ballkan varet nga qëndrimi i aktorëve të tjerë politikë me ndikim atje, përfshirë SHBA-në, Turqinë, Rusinë dhe BE-në.
Fitim Zekthi, analist, pedagog në UET: “Trump izolacionist, por Kosova është investim amerikan, nuk do ketë ndryshime”
Pas një faze paqartësie dhe shtyrjesh të proceseve dhe agjendave lidhur me Ballkanin, duket se një sens i qasjes ‘finalizuese’, ‘zgjidhese’ të tipit ‘emri final i Maqedonisë’, ‘deti Greqi-Shqipëri’ apo gjëra në horizont: ‘korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi’ apo më larg, ‘statusi i republika Srpska’. Në parim pa hyrë në çështjet konkrete: a është një finale procesesh të gjata apo konturet e një gjendjeje të re për Ballkanin?
Në Ballkan është shumë e vështirë të emërtohet një moment që përfshin disa lëvizje si finalizim i një procesi të gjatë apo edhe si ndryshim që kërkon të sjellë një gjendje të re apo sendërtojë konturet e një gjendjeje të tillë. Ballkani ngërthen interesa, faktorë dhe identitete që janë në gjendje gjithmonë të prishin çdo përpjekje për t’i vënë emërues të përbashkët lëvizjeve të tilla. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë gjë stabiliteti në Ballkan është një konsideruar një shqetësim madhor për Bashkimin Europian dhe për SHBA-në. Për këtë arsye ai mbahet prej gati 30 vitesh nën joshjen për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Veta natyra e problemeve që ka Ballkani janë të tilla që nuk mund të zgjidhen kurrë thjesht duke i joshur ato me futjen në BE, dhe duke i lënë nën monitorimin apo kërkesat e burokracisë së BE-së. Madje mund të thuhet se dështimi i deritanishëm në Ballkan është pasojë e këtij “vëzhgimi të lirë” të burokracisë europiane. Vendet e Ballkanit e kanë të pamundur të demokratizohen, fuqizojnë institucionet dhe sundimin e ligjit vetvetiu apo së brendshmi. Është forca shtytëse apo shtrënguese e SHBA-së ajo që gjithsesi bën që ky proces të mbahet i gjallë, të ecë ndonëse ngadalë. Në këtë kuptim më shumë kemi të bëjmë me një proces që synon të përmbyllet ( nuk dihet kur) dhe jo me qasje të reja apo me konturim gjendjeje të re. Interesa që kërkojnë konturim të një gjendjeje të re ka patur gjithnjë por ato nuk kanë qenë vendimtare.
Marrëdhëniet transatlantike, ato Rusi-SHBA me impakt në rajone të tjera të botës etj., shumëçka po lëviz në politikën e Shtëpisë së Bardhë të erës Trump! A dalloni që diçka e re ndryshe po konturohet edhe për Ballkanin nga administrata e re amerikane?
Ish-kryetari i kongresit të SHBA-së dhe një nga figurat e rëndësishme të republikanëve sot, të cilët kanë ndikim te presidenti Trump, Newt Gingrich, e shpjegon politikën e presidentit Trump si diçka që ndryshon thelbësisht me administratat e mëparshme. Ai thotë se Trump është një “ndryshues” pra që bën ndryshime, është njeri që merr vendime të forta, që sheh përparësitë që ka vendi i tij në radhë të parë. Në një kuptim teorik, Trump nuk i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare si konstruktivist apo liberalist. Kemi një rikthim në realizëm. Rikthimi në realizëm do të thotë edhe një qasje më izolacioniste, pra një “mbledhje” e Amerikës në vete, jo një “përhapje” e madhe. Kjo vihet re nga objektivat e tij për të dalë nga Siria, për t’u tërhequr nga Afganistani. Sigurisht që edhe nga rajone të tjera të botës do të ketë një tërheqje të SHBA-së por kjo do të varet edhe nga pushteti që do të ketë presidenti Trump. Ai është në një “përballje” me departamentin e shtetit dhe me zyra të tjera sa i takon qasjes së tij. Për të thënë të vërtetën ishte presidenti Obama ai që i zhvendosi burimet kryesore amerikane në lindjen e largët, duke mos e cilësuar më Rusinë një aktor global dhe armikun kryesor gjeopolitik të SHBA. Kandidati republikan Romney këmbëngulte që Rusia ishte armiku numër një gjeopolitik. Qasja e re e Trump, duket se e sheh Rusinë si një armik gjeopolitik, por gjithsesi kjo qasje duke qenë realiste, beson se është e mundur që me presidentin Putin të ndërtohen marrëdhënie nga të cilat fitojnë amerikanët por edhe aleatët e saj në NATO. Kosova gjithsesi është një investim i drejtpërdrejtë amerikan dhe nuk ka mundësi të përmbyset kaq shpejt një investim dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me Kosovën. Në lidhje me Ballkanin, duhet thënë se Europa do të jetë gjithnjë e më shumë aktori bazë. Pra, thyerja e dukshme që e çon Amerikën drejt një qasjeje realiste do të synojë marrëveshje me Putin, zbutje të luftës së ftohtë apo ideologjike, do të synojë zgjidhje për Sirinë apo Iranin, Korenë e Veriut apo Ukrainën, por nuk do të prekë Kosovën. Kosova është çliruar dhe themeluar si shtete nga amerikanët.
Politika amerikane, krahas kancelarisë funksionon fort edhe si lobby, si kontakt personal. Kemi parë kohët e fundit lëvizjen në këtë drejtim: takimet e dhëndrit të Trump me politikanë ballkanikë, kemi parë strategun e Trump, Bannon nëpër Ballkan etj. lajme si këto. A kanë, a do të kenë këto elemente impakt në formësimin e një politike të re të SHBA për Ballkanin?
Dihet që lobimi është një praktikë e fuqishme në SHBA. Rasti i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Trump është disi më ndryshe, pasi ai është këshilltar i tij dhe jo lobist. Sigurisht që Kushner ka zhvilluar dhe zhvillon bisedime me aktorë botërorë dhe dihet se është një nga njerëzit e besuar të presidentit Trump. Besohet se Kushner është arkitekti i politikës së re amerikane në Lindjen e Mesme, duke qenë vazhdimisht në kontakte me princin Muhamed Bin Zayed e Emirateve, me kryeministrin e Izraelit Netanjahu, me presidentin e Egjiptit Al Fatah al Sisi etj. Por nuk ka asnjë të dhënë se Kushner ka lobuar, biseduar apo ideuar ndonjë gjë për rajone të tjera të botës veç lindjes së mesme. Ai duket se është i fokusuar më së shumti te një plan i ri paqeje mes Izraelit dhe Palestinës dhe te një qasje e re në këtë rajon. Ndërsa Steve Bannon është një gjë tjetër. Ai ishte ideologu i fushatës dhe i tërë asaj që paraqiti presidenti Trump. Ai është një njeri që mendon se e majta, liberalët etj., kanë shkatërruar parimet bazë të funksionimit të shoqërisë dhe të shtetit dhe kanë krijuar “përdhunshëm” një kulturë të re dhe establishment pushteti politik –ekonomik-kulturor që nuk lejon gjë tjetër veç asaj që prodhon dhe mbron vetë. Ai kërkon një përmbysje të establishmentit, kthim në vlera nacionaliste, konservatore, është kundër pushtetit të institucioneve ndërkombëtare etj. Sot ai nuk është në ekipin e Trump, por për shumëçka Trump vijon të udhëhiqet nga idetë e tij, ende siç është qasja ndaj establishmentit, ndaj emigrantëve, ndaj institucioneve ndërkombëtare, ndaj vlerave të të majtës dhe liberalëve tej. Bannon po përpiqet ta kthejë këtë në një lëvizje globale. Ai për disa kohë ishte në Europë ku mund të thuhet se tezat e tij kanë gjetur vend fort. Ato ishin aty edhe më parë por ai iu ka dhënë një shtysë më shumë. Ai ka kontakte dhe ka përkrahur politikanët antiestablishment në Itali, Angli etj. Ardhja e tij në Ballkan mund tu japë një shtysë këtyre ideve por le të shohim pasi Ballkani nuk është një terren aq i përshtatshëm. Megjithatë, duke u bërë më të pranishme në Ballkan dhe Europë, tezat e tij mund të bëjnë më të pranueshme politikat e Trump në Ballkan, duke prodhuar një frymë pro tyre. Pra ai dhe tezat e tij mund të jenë oksigjen për jetësimin më lehtë të politikave të Trump.
Kosova ka qenë një çështje ndërkombëtare e planit të parë, së paku nga 1974. ‘Njësi konstitutive e federatës jugosllave’, ‘Kosova, vija e kuqe për Ballkanin’, ‘rezoluta 1444 e Këshillit të Sigurimit’, ‘Pavarësia e kushtëzuar’, ‘dialogu Kosovë – Serbi’, ‘demarkacioni me Malin e Zi’, ‘Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare’. Por të gjitha duket se nuk mjaftojnë pa një finalizim Kosovë- Serbi. Në këtë kontekst propozimi i ri dhe i papritur i Thaçit çfarë përfaqëson sipas jush?
Propozimi i presidentit Thaçi nuk përfaqëson asgjë në këtë aspekt. Që të përfaqësonte diçka në këtë drejtim, ai duhet të ishte një propozim që kishte shtysë ndërkombëtare, që kishte pas zëra të fortë në BE apo SHBA. Ai duket një propozim vetjak në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq një propozim që shtyhet nga erëra që kanë prodhuar akull për shqiptarët. Propozimi i presidentit Thaçi nuk duket se do të shkojë gjëkund. Ai nuk duket një propozim që e çon Kosovën në një stad më të mirë. Gjithashtu ai është një propozim që kundërshtohet nga BE dhe vendet kryesore të saj. Deri më tani është mbrojtur me forcë vetëm nga Thaçi dhe Vuçiç. Duket më shumë një propozim që çon Serbinë në një stad më të mirë. Është e vërtetë që Kosova është një çështje e madhe prej vitesh dhe për të është bombarduar Serbia nga NATO. Një propozim të tillë Kosova duhet ta refuzojë edhe sikur ai të ketë pas mbështetjen e zërave të rëndësishëm në BE. Territori, Kosova është ajo për të cilën është bërë luftë dhe janë vrarë njerëz, është një aspiratë, është atdheu i cili nuk është çështje propozimesh si ky. Është shumë e habitshme se si një propozim vetjak që bëhet nga dashuria për Kosovën të bëhet nga presidenti Thaçi, i cili gjatë qeverisjes së tij ka bërë gjithçka që të mbajë pushtetin, ka qeverisur në mënyrë dramatike vendin, ka grumbulluar në qeveri dhe në partinë e tij njerëz që janë të njohur korrupsion apo krime të tjera. Një qeveritar kaq i keq, një qeveritar që bëri marrëveshje nga më skandalozet me partitë duke lënë vendin për 6 muaj pa qeveri vetëm që të bëhej zëvendës.kryeministër dhe pas president nuk mund të bëjë propozime vetjake që duan të zgjidhin një herë e përgjithnjë problemin e njohjes dhe kufijve të Kosovës.
Cilat janë garancitë që cilado marrëveshje për ‘korrigjim kufijsh’ Serbi- Kosovë nuk do të hapë precedentë për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të ristartonin…..si gjithnjë luftërat e pafundme ballkanike?
Kosova edhe sot është një precedent në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ishte Gjykata Ndërkombëtare ajo që e quajti të dejtë pavarësinë. Probleme me kufijtë ka shumëkush në botë. Ballkani vlon nga problem të tilla. N.q.s. do të kishim një ndryshim kufijsh në Kosovë, pa diskutim që këtë gjë do ta kërkonin serbët e Bosnjës apo boshnjakët në Mal të Zi apo shqiptarët në Maqedoni etj. Nuk e di askush se ku mund të ndalet. Nuk ka pse luhet me gjëra të tilla dhe nuk ka pse lihet të kuptohet sikur presidenti Trump, administrata e SHBA apo dikush me fuqi ndërkombëtare, është pas propozimit të Thaçit. Nuk duket se është kështu.
Kristaq Xharo, pedagog në UET: “SHBA rikthim në rajon, do të rigjenerojë aksionin gjeopolitik”
Pas një faze paqartësie dhe shtyrjesh të proceseve dhe agjendave lidhur me Ballkanin, duket se një sens i qasjes ‘finalizuese’, ‘zgjidhëse’ të tipit ‘emri final i Maqedonisë’, ‘deti Greqi-Shqipëri’ apo gjëra në horizont: ‘korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi’ apo me larg, ‘statusi i republika Srpska’. Në parim pa hyrë në çështjet konkrete: a është një finale procesesh të gjata apo konturet e një gjendjeje të re për Ballkanin?
Ballkani perëndimor brenda këtij viti arriti ta kthejë drejt vetes vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare, veçanërisht atë të fuqive të mëdha botërore. Megjithëse për çfarë ju përmendni më lart janë ende në fazën finale ato ende janë në dilemën e zgjidhjes. Ato janë vendosur në tavolinë, por është ende herët për të folur për një zgjidhje përfundimtare. Nuk është vetëm negocimi midis palëve zyrtare, por edhe vetë palët që kanë brenda vetes diferenca të mëdha. Kështu si në Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, finalja e negocimit midis palëve zyrtare do të duhet në të njëjtën kohë të kapërcej edhe diferencat e mëdha brenda vetes. Në të gjithë vendet e Ballkanit perëndimor, opozitat politike në kundërshtimin e tyre ndaj pozicionit zyrtar dinë dhe do të shfrytëzojnë edhe ndjeshmërinë e madhe të opinionit ndaj çështjeve që diskutohen. Procesi i negocimit ka kaluar dekada dhe ndërmjetësia ndërkombëtare ka qenë faktor shumë i rëndësishëm. Duket se procesi për t’u afruar zgjidhjeve ka hyrë në një fazë të re ku problemet po hidhen mbi tavolinë pa dorashka. Në këtë status negocimi ka ndihmuar fakti që vendet e rajonit, në këtë periudhë, ndjehen më pranë, strukturave euro-atlantike, me distance të ndryshme në NATO apo BE, megjithëse përsëri me diferenca të mëdha. Këto vende pak janë shmangur nga tradita më e hershme për sa iu përket aleatëve, aleancave dhe pozicioneve gjeopolitike. Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi janë bërë anëtare të NATO-s, ku Maqedonia ndodhet e ndërvarur vetëm nga referendumi për emrin. Ndërkohë Serbia e lidhur dhe jo më pak e afruar ndaj Rusisë e Bosnja e mbërthyer në ‘ngrirjen’ e vet. Të afruar më shumë nga orientimi drejt Bashkimit Evropian, por me sfida që vijnë më tepër nga vetë kjo organizatë. Ndoshta në këtë fazë po evidentohet më qartë dhe bindshëm ndërgjegjësimi i vendeve të Ballkanit në seriozitetin e proceseve që kanë nisur.
Marrëdhëniet transatlantike, ato Rusi-SHBA me impakt në rajone të tjera të botës etj., shumëçka po lëviz në politikën e Shtëpisë së Bardhë të erës Trump! A dalloni që diçka e re ndryshe po konturohet edhe për Ballkanin nga administrata e re amerikane?
Ka kaluar një kohë e gjatë, që kur një president i SHBA e shpalli Ballkanin si prioritet. Kjo u pasua në dy ndërhyrje ushtarake amerikane (NATO-s) në Bosnjë dhe Kosovë. Më pas u duk se dislokimi i NATO-s e zhvendosi më poshtë Ballkanin në listën e prioriteteve të SHBA. Ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës ju kalua më tepër Bashkimit Europian, që pavarësisht rolit të tij nuk arriti ta mbush zbrazëtinë që krijoi zhvendosja gjeopolitike e SHBA. Aktorë të tjerë anti- NATO e BE me në krye Rusinë, rritën ndikimin e tyre në rajon. Fakti që të gjitha vendet e Ballkanit kanë të njëjtin orientim për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian është pozitiv si për ekonominë edhe sigurinë. Dhe kjo lëvizje ka shumë pak gjasa të ndryshojë kursin për më tepër që edhe është inkurajuar nga administrata e presidentit Trump. U ngritën mjaft dilema për vendin që do të merrte Ballkani në erën Trump, e veçanërisht në raportet SHBA-Rusi. Në këtë kontekst Ballkani që nuk përjashtohej të shërbente si një “shesh lojërash”. Serbia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, më shumë se të tjerët në rajon janë objekt i përpjekjeve të ndërhyrjes ruse, qoftë edhe në idenë për të konsumuar energjitë dhe kapacitetet e BE dhe NATO-s dhe për t’i penguar këto vende drejt objektivit për t’u përafruar apo integruar në këto dy organizata me frymë dhe inspirim perëndimor. Kjo, padyshim shfaqej si çështje komplekse – por të gjithë në rajon shpejt e kuptuan që roli i SHBA jo vetëm që nuk do të zbehej, por mund të flitet për një ‘rikthim’ në rajon. Roli që luajti në krizën maqedonase dhe më pas anëtarësimi i Malit të Zi, në NATO tregoi që SHBA shumë shpejt do ta rigjeneronte aksionin gjeopolitik. Me ngritjen e Bazës Ajrore në Shqipëri dhe me një më të hershme në Kosovë, siguria në Ballkanin Perëndimor fiton një standard të ri.
Politika amerikane, krahas kancelarisë funksionon fort edhe si lobby, si kontakt personal. Kemi parë kohët e fundit lëvizjen në këtë drejtim: takimet e dhëndrit të Trump me politikanë ballkanikë, kemi parë strategun e Trump, Bannon nëpër Ballkan etj. lajme si këto. A kanë, a do të kenë këto elemente impakt në formësimin e një politike të re të SHBA për Ballkanin?
Unë besoj te roli i lobeve apo kontakteve personale, por kur ato vijnë në funksion të strategjisë së përgjithshme. Sigurisht që politika e jashtme merr shpesh edhe nuancat e personaliteteve që e përfaqësojnë. Askush nuk mund të mos kujtojë rolin e sekretarëve të shtetit të SHBA në Kemp Dejvid gjatë krizës së Bosnjës apo të Rambujesë për ndërhyrjen në Kosovë. Por, ato i shfaqin nuancat brenda ngjyrës duke e theksuar, por pa e ndryshuar dhe as më shumë e as më pak janë element taktik brenda strategjisë madhore. Edhe pse paraqet sfida të mëdha për partnerët kryesorë në Evropë, administrata Trump ka treguar gatishmëri për t’u dhënë përparësi marrëdhënieve të saj me Ballkanin. Në një vizitë në rajon nënpresidenti amerikan Mike Pence u tha prerë krerëve të tetë vendeve të Ballkanit “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë “të gatshme të lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor”. Interesat amerikanë në rajon nuk janë të motivuara, vizioni europian i këtyre vendeve, por nga fakti se një angazhim i tillë është gjithashtu në interesat e Shteteve të Bashkuara. Administrata amerikane ka shkuar deri atje sa t’i bëjë thirrje Europës për të krijuar një strategji të përbashkët kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor “..duke koordinuar mesazhet, qëllimet e taktikat …”. Janë një numër deklarimesh, por edhe qëndrimesh nga senati dhe kongresi që shprehin pozicionin dhe rëndësinë që SHBA i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndoshta angazhimi aktual i administratës amerikane krijon perceptimin e ‘rikthimit’ të SHBA në Ballkanin Perëndimor.
Kosova ka qenë një çështje ndërkombëtare e planit të parë, së paku nga 1974. ‘Njësi konstitutive e federatës jugosllave’, ‘Kosova, vija e kuqe për Ballkanin’, ‘rezoluta 1444 e Këshillit të Sigurimit’, ‘Pavarësia e kushtëzuar’, ‘dialogu Kosovë – Serbi’, ‘demarkacioni me Malin e Zi’, ‘Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare’. Por të gjitha duket se nuk mjaftojnë pa një finalizim Kosovë- Serbi. Në këtë kontekst propozimi i ri dhe i papritur i Thaçit çfarë përfaqëson sipas jush?
Duke ditur jo mjaftueshëm për kontekstin dhe objektivat e propozimit të ri të Thaçit, nuk mund të themi më shumë se është shkruar gjatë gjithë kësaj kohe në media. Por, më së paku ky propozim arriti më së paku tre objektiva. Së pari propozimi i Thaçit riktheu gjithë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar se zgjidhja nuk mund të lihet vetëm në dorë të Mogherinit (BE) e ndoshta ka nevojë të thirren aktorë të tjerë, fuqi të mëdha, në tavolinë. Së dyti, tregoi se palët (Kosova dhe Serbia) nuk kanë se çfarë t’i afrojnë njëra-tjetrës nga vetja pa sfiduar normat ndërkombëtare. ‘Mesazhi’ është i qartë që bisedimet të përfundojnë me sukses është Europa që duhet të shkundet. Samiti i fundit nuk afroi asgjë për të dy vendet. Së treti propozimi i Thaçit, që sigurisht e ngriti shumë lart stekën e bisedimeve, do të ketë efekt edhe në mjedisin e brendshëm duke e faktorizuar atë. E lidhur edhe me dy të parat, rezultati që do të pritet nga bisedimet do të jetë më i pranueshëm dhe i detyrueshëm për faktorin e brendshëm. Edhe sikur vetëm një prej këtyre objektivave të arrihej do ta quaja propozimin e Thaçit të mjaftueshëm. Në kohën që negociatat në Bruksel po hynin në një fazë aspak premtuese, Thaçi pati meritën që të shkundte në pluhuri i indiferencës kancelaritë perëndimore. Thaçi më mirë se kushdo e di mirë mundësinë e propozimit. Tashmë kur në Kosovë është i pranishëm faktori ndërkombëtar, NATO dhe vetë SHBA, në kuadër të aleancës dhe në mënyrë direkt, çdo propozim do të ‘peshohet’ e do të mund të marrë jetë vetëm pasi të konsiderohet i pranueshëm nga fuqitë e mëdha. Nga ana tjetër Kosova, Serbia janë juridikisht vende demokratike dhe çdo propozim, qoftë edhe nga Thaçi apo Vuçiç nuk do të mund t’iu shmanget gjithë niveleve të tjera, padyshim edhe referendumeve. Propozimi në vlerësimin fillestar përbën një paradigmë, që përmban shumë të panjohura. Vërtetë që bisedimet zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë, por si deri tani ato kanë prezencën edhe të Bashkimit Europian. Propozimi e ngre ‘stekën’ e bisedimeve aq lart sa ajo duket se është një ‘ftesë’ që në lojë të hyjë edhe SHBA apo edhe tjerë, ndoshta edhe një model Ahtisari-2. Koha do ta tregojë.
Cilat janë garancitë që cilado marrëveshje për ‘korrigjim kufijsh’ Serbi- Kosovë nuk do të hapë precedentë për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do të ristartonin…..si gjithnjë luftërat e pafundme ballkanike?
Marrëveshjet ndërkombëtare nuk arrihen pa një palë të tretë që mund të jetë një fuqi e madhe apo disa të tilla të sjella së bashku. Palët vetë nuk mund të jenë garant për aq kohë sa janë në konflikt interesi. Pra garanti do të jetë ndërkombëtar që afrohet me të gjithë elementet e fuqisë: diplomatike, ekonomike e ushtarake. Historinë e Ballkanit nuk e njohin vetëm ballkanasit, fuqitë e mëdha ca më shumë. Ballkanasit kanë aftësi ta ndezin zjarrin, por jo ta mbajnë atë ndezur e ca më pak ta shuajnë atë. Shumica e lojërave me zjarrin që kanë filluar në Ballkan janë ushqyer nga të tretët. Në situatën aktuale me potencialet që zotërojnë shtetet e Ballkanit perëndimor nuk janë në gjendje të nisin një konflikt e aq më pak luftëra e t’i mbajnë ndezur ato. Të gjithë besojnë dhe e kanë të varur mbijetesën në aleatë të mëdhenj apo aleanca. Është interesant që debati i hapur në mediat tona merakun më të madh e kanë pasur se çdo të ndodh me Ballkanin duke i dhënë edhe këshilla komunitetit ndërkombëtar se si të ndalin premisat e konfliktit. Aq të merakosur janë për fatet e Ballkanit sa nuk ndalen ti venë autorit të propozimit etiketime nga më vrastaret. Të tjerët na kanë zili që merremi kaq shumë me veten, por jo për vete. Nuk do të ketë luftë për aq kohë se bisedimet nuk po zhvillohen si të shmangin luftën por si të sigurojnë një paqe afatgjatë. Faktori ndërkombëtar, tashmë pas propozimit do të jetë më prezent dhe ndoshta edhe me mundësi më të mira zgjidhje. Ambasadori amerikan në Kosovë u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë tyre ndërsa ata diskutojnë për këto gjëra./Mapo