BEG-Qeveri, marrëveshje për ngrohjen qendrore

BEG-Qeveri, marrëveshje për ngrohjen qendrore

Andrea Çobanova

– Advertisements –

Qytetarët e Shkupit nesër do të kenë ngrohje qendrore, ndërsa kompanisë Ballkan Enerxhi nuk do i merret licenca, thonë burime qeveritare për Alsat. Qeveria hollësitë do t’i zbardh pas orës 19:00. Nga BEG për Alsat thonë se në Qeveri vazhdojnë bisedimet. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për heqjen e licencës, sepse i janë referuar Ligjit për Kriza, sipas të cilit, shteti është i obliguar të sigurojë ngrohje në kohë krize, shkruan Alsat.

“BEG i referohet nenit 33 të Ligjit për Kriza për t’i dhënë Qeverisë mundësi ligjore për të siguruar financim për konsumatorët e ngrohjes. Kjo nuk do të thotë heqje e licencave. Negociatat janë ende në vazhdim mes BEG dhe Qeverisë”- thonë nga BEG.

Në këtë nen, sipas Ligjit për kriza, thuhet se në rast krize, resurset e shtetit mund të shfrytëzohen për tejkalimin e krizës.

“Në rast krize mund të shfrytëzohen burimet e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe shërbimeve, si dhe të shoqërive tregtare që kanë rëndësi të veçantë për të punuar në krizë, në përputhje me ligjin- thuhet në Ligji i Krizave, Neni 33.

BEG i referohet gjendjes së shpallur zyrtarisht të krizës energjetike në vend. Ditët e fundit qeveria i ka ofruar BEG-ut që të sigurojë garanci bankare në mënyrë që të marrë kredi 8 milionë euro përmes Bankës Zhvillimore. Opsioni i dytë është që në llogari t’i hidhen 6 milionë euro që qytetarët të marrin fatura me çmimin e vjetër. BEG i refuzoi të dyja ofertat.