Alsat 2019-06-18T19:21:44+02:00
Vendimi për datën eventuale për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE-në do të merret në tetor, njoftoi komisioneri për zgjerim Johanes Han, duke vendosur tetorin edhe si afatin e fundit për këtë. Ky ishte konkluzioni i arritur në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në Luksemburg, afat në të cilin Han beson se është i mjaftueshëm edhe për vendet të cilat gjatë kësaj periudhe nuk kanë qenë në gjendje të marrin një vendim. Përveç bindjes për këtë, komisioneri Han nuk ofron asnjë garanci.
Unë s’mund të jap asnjë garancë por kam dëgjuar me kujdes vendet anëtare dhe qëndrimet e tyre dhe ata ishin me shumë vlerësime për Maqedoninë e Veritu. Jam i bindur dhe duhet të them se ishte një qëndrim i sinqertë nga ministri gjerman Mihajl Rot kur na thoshte se kanë një problem institucional meqë Bundestagu gjerman s’ka pasur kohë për t’u marrë me këtë qështje. Ne duhet të respektojmë institucionet demokatike sepse për këtë punojmë, për të zhvilluar institucionet demokratike në vendet partnere. Unë kam vetëm bindjen se vendet do të marrin datë në tetor- deklaroi Johanes Han.
Vëmendja e gazetarëve u përqëndrua në vlerësimet në pako për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke e cilësuar këtë të fundit si më pak të përgatitur për negociata sa i takon sferës së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në pyetjen se a do ta konsideronte Han si më të drejtë ndarjen e vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Han u përgjigj:
Jo, sepse procesi është në bazë meritash dhe të dy vendet kanë arritur atë për të cilën ne jemi marrë vesh. Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes asaj që është dakorduar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian bazuar në vendimin unanim të të gjithë vendeve anëtare. Ka pasur pesë fusha kryesore prioritare ku Shqipëria është dashur të ketë rezultate. Sipas vlerësimit tonë, Shqipëria i ka arritur ato- u përgjigj ai.
Vendimi do të konfirmohet edhe nga Këshilli Evropian në datët 20 dhe 21 qershor.
Fatlume Dervishi
Loading…



