European Union and Macedonia. The concept of relationship between EU and Macedonia.
Alsat 2019-09-27T15:42:36+02:00
Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar perspektivën e afërt të vendit në procesin e euro-integrimit. Autoritetet në Shkup, pas vendimit pozitiv të Gjermanisë, presin vendimin e Francës e cila gjatë periudhës së kaluar ka qenë skeptike për procesin e zgjerimit të BE-së. I sapokthyer nga Berlini ku ishte prezent në marrjen e vendimit të Bundestagut për Maqedoninë e Veriut, zv. kryeministri Bujar Osmani për emisionin 360 gradë i cili do të transmetohet sonte në Alsat, deklaroi se vendimi i tetorit do të jetë historik.
Franca ende nuk ka vendim final. Pritet Presidenti Makron ditëve në vijimë të vendosë së çfarë pozite do të marrë Franca edhe pse qëndrimi i tyre tani është më i zbutur dhe më racional do të thoja ndaj perspektivës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e bisedimeve. Është vendim historik. Nëse 2003, Samiti i Selanikut hapi perspektivën për Ballkanin perëndimor, 15 tetori i 2019-tës mund të mbyllë përfundimisht perspektivën e Ballkanit Perëndimor me të gjitha pasojat për dinamikën e proceseve brenda. Kjo porosi që u dha dje në Bundestag do të përcaktojë edhe tonin e vendimeve të vendeve të tjera anëtare -tha Bujar Osmani, zv. kryeministër.
Ndërkohë ambasadori francez në Shkup Kristijan Timonie gjatë ditës shtoi pritshmëritë pozitive. Ai tha që pritet dritë jeshile nga presidenti Makron.
Ne presim dritë jeshile nga presidenti jonë. Si gjithmonë, ne ndajmë shumë me partnerin tonë gjerman për këtë temë. Kemi qëndrim të mirë ndaj vendit tuaj dhe ndaj të gjitha përpjekjeve të cilat ai i bëri në plan rajonal. Ne francezët dhe gjermanët shumë mirë e dimë që duhet edhe shumë, shumë punë që reformat të cilat janë në letër të bëhen realitet. Do të bëjmë një koktel të mirë mes realitetit dhe pritshmërive; realitetit që duhet të përmirësohet dhe plotësohet dhe gjithsesi asaj që ne e presim -deklaroi Kristijan Timonie, ambasador i Francës.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar, shpreson që gjuha maqedonase së shpejti do të jetë gjuha e 25 zyrtare e BE-së.
Mendoj se duhet të presim që të shohim. Vendet anëtare diskutojnë konkluzionet e tetorit dhe vendimet e tyre. Mendoj se duhet të presim dhe të shohim. Për momentin janë 24 gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian dhe shpresoj që gjuha maqedonase së shpejti do të jetë pjesë e gjuhëve zyrtare nga vendet anëtare. Ajo që dua të them është se shpresoj që shumë shpejt do të fillojmë një marrëdhënie më të afërt e cila në fund do të na sjellë anëtarësim – tha Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.
Vendet anëtare të BE-së, në mes të muajit tetor do të vendosin rreth caktimit të datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, datë kjo e cila më parë ishte shtyer.
Fatlume Dervishi
Loading…




