Ministria e Çështjeve Evropiane ka dorëzuar më 15 korrik 2026 në Komisionin Evropian kërkesën e katërt për lirimin e mjeteve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, por nuk bën të ditur se cilat reforma i ka raportuar si të përmbushura. Në përgjigjet e dhëna për Portalb.mk, Ministria konfirmon se kërkesa, së bashku me dokumentet shoqëruese, është dorëzuar brenda afatit të paraparë. Megjithatë, kur u pyet konkretisht se cilat reforma konsiderohen të përmbushura dhe cilat janë përfshirë në raportin e dorëzuar në Bruksel, Ministria nuk jep një listë të reformave, raporton Portalb.mk.
Në vend të kësaj, Ministria i referohet procedurës së vlerësimit nga Komisioni Evropian, duke theksuar se Komisioni ka në dispozicion 90 ditë kalendarike për ta vlerësuar përmbushjen e hapave.
“Përfundimi i procesit të vlerësimit dhe afati se kur do ta marrim vlerësimin për përmbushjen e hapave varen, para së gjithash, nga Komisioni”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Kështu, për momentin, nuk ka pasqyrë konkrete se çfarë është konsideruar e përmbushur nga ana e Qeverisë dhe për cilat reforma kërkohet lirimi i mjeteve.
Kjo vjen në një periudhë kur Kodi Zgjedhor mbetet një nga reformat e papërmbushura, ndërsa për këtë reformë është lidhur edhe pagesa prej rreth 4.2 milionë eurosh.
Përndryshe, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës në Shkup kishte theksuar nevojën për miratimin e Kodit Zgjedhor, krahas ndryshimeve kushtetuese, si pjesë e reformave që vendi duhet t’i realizojë në rrugën drejt BE-së.
Ndërkohë, Ministria në përgjigjen e saj nuk sqaron nëse Kodi Zgjedhor është përfshirë në raportin e dorëzuar si reformë e papërmbushur, si dhe si është trajtuar konkretisht kjo çështje në kërkesën e katërt.
Në vend që të japë këto të dhëna, Ministria thekson se vlerësimin përfundimtar do ta bëjë Komisioni Evropian.
Kjo do të thotë se, të paktën deri në publikimin e vlerësimit të Komisionit, mbetet e paqartë se sa nga reformat e raportuara nga Qeveria do të konsiderohen realisht të përmbushura nga Brukseli dhe sa mjete mund të lirohen në bazë të tyre.
Në këtë fazë, e vetmja gjë që Ministria konfirmon është se kërkesa është dorëzuar më 15 korrik. Për pjesën tjetër, përfshirë rezultatet konkrete të raportit, përgjigjja mbetet në duart e Komisionit Evropian.
Çështja e Kodit Zgjedhor ishte lidhur drejtpërdrejt me rrezikun për humbjen e mbi katër milionë eurove nga Plani i Rritjes. Partitë politike nuk arritën marrëveshje për miratimin e Kodit Zgjedhor dhe afati shtesë për përmbushjen e reformës përfundoi pa rezultat.



