Vendet e Bashkimit Evropian do të mund t’iu sigurojnë vaksinat edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nga sasia të cilën do ta ndajë Komisioni Evropian. Këtë e kanë thënë të enjten në mbrëmje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen pas përfundimit të samitit të BE-së, të zhvilluar përmes video-lidhjes. Koordinimi i përpjekjeve në luftën kundër pandemisë ishte tema kryesore e këtij takimi të Këshillit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë Evropa mund tÍ ketë të dy vaksinat kryesore të koronavirusit të aprovuara për përdorim të gjerë muajin e ardhshëm. Deklarata ndjek rezultate premtuese nga provat e dy vaksinave – njëra është një bashkëpunim i përbashkët midis kompanisë farmaceutike Pfizer dhe BioNTech të Gjermanisë dhe një tjetër nga Moderna e SHBA, gjatë dy javëve të fundit.
URSULA VON DER LEYEN, PRESIDENTE E KOMISIONIT EVROPIAN
“Nëse të gjithë vazhdojnë pa probleme, Agjencia Evropiane e Barnave na thotë se autorizimi i kushtëzuar i marketingut për BioNTech dhe Moderna mund të ndodhë që në gjysmën e dytë të dhjetorit 2020”.
Brukseli tashmë bleu 200 milionë doza vaksinash nga Pfizer/ BioNTech dhe po negocion për të blerë 80 milionë doza të Modernas përmes një mekanizmi të prokurimit në të gjithë BE-në dhe ka thënë që këto do të shpërndahen në vendet bazuar në shpërndarjen proporcionale të popullsisë. Shtetet anëtare pastaj mund të japin si donacion sasi të këtyre vaksinave vendeve tjera me të ardhura të vogla apo mesatare.
Pos përgjegjësisë që BE ndjen për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe lidhjeve përkatëse, në Bruksel si arsye për t’iu ndihmuar me vaksina është edhe ndikimi që përhapja e koronavirusit mund të ketë nga këto vende në BE dhe anasjelltas.




