Koment nga Almakos
Po, duhet përsëritur se për shumëçka Tetova është pasqyrë ku shihet fytyra e vërtetë e shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe duke qenë e tillë, atë shumëkush ka tentuar ta sundojë e drejtojë, duke e ditur se kështu e drejton dhe e sundon shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Njësoj siç donë sot LSDM-ja e Zaevit, që nëpërmjet kandidates së vet të mbuluar me emblemën e BDI-së, Teuta Arifit ta sundojë e ta drejtojë këtë “kryeqendër” të shqiptarëve të Maqedonisë.
Dhe duke dashur ta zaptojnë Tetovën, Zaevi e Sheqerinska na këshillojnë të votojmë për ‘kandidaten që bashkon’. Mirëpo pa na treguar pse ata nuk kandiduan për kryetar të Shkupit ndonjë nga ‘sejdo bajramoviqat’ e tyre shqiptarë, e të na bashkonin gjithë neve që jetojmë në kryeqendrën multietnike të Maqedonisë? Pra pse kandidatët ‘që multietnikisht bashkojnë ’ na qenkan të rëndësishëm nëpër vendbanimet me shumicë shqiptare, e jo edhe nëpër ato ku dominon etniteti maqedonas!?
Po pra, duke dashur ta zaptojë Tetovën, qeveria e Zaevit, njësoj si dikur ajo e VMRO-DPMNE-së, BDI-së ia ka lënë në disponim të gjitha resurset shtetërore, duke nisur nga ‘thasët’ me para dhe ‘alfat’ policore, e deri te ‘omegat’ politike. Dhe kështu, burime nga Tetova, që nuk guxojnë të identifikohen, thonë se në këtë qytet, natën të arrestojnë ‘alfat’ policore, e ditën të çlirojnë ‘omegat’ politike të BDI-së së Zaevit. Me çka duan t’u tregojnë tetovarëve se LSDM-ja të bënë të fortë, se ajo i cakton shqiptarët që edhe të burgosin edhe të çlirojnë!
Dhe kështu shihet qartë se gjatë këtyre zgjedhjeve lokale, BDI-ja e Zaevit donë ta përçajë dhe ta gjunjëzojë Tetovën. Dhe BDI-ja e Zaevit u kthye në Tetovë me Lube Boshkovskin e vitit 2001, që vrau dhe e përbuzi jo vetëm Tetovën, por çdo gjë shqiptare. E që të çon t’i pyesësh Ali Ahmetin e Teuta Arifin se a kanë ata ndonjë moral, apo vlerë njerëzore, që do i çonte të ndjehen keq kur bashkëpunojnë edhe me djallin, vetëm që t’i realizojnë ambiciet e sëmura politike dhe për t’i shpëtuar vdekjes së turpshme politike?
Si do qoftë, gjithçka varet nga vetë tetovarët dhe nga shqiptarët e Maqedonisë. Dhe me 29 tetor, ata do duhet të përgjigjen se a janë pro vetvetes, apo pro atyre që duan ta asgjësojnë dhe ta kolonizojnë indin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj edhe duhet thënë qartë e shqip: të votosh për kandidatin e Lëvizjes Besa për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin nuk është vetëm përcaktim partiak e politik, por edhe legjitimim qytetar e civilizues. Pra, ky është përcaktim që të rreshton mes kundërshtarëve të mendësisë vasale të BDI-së si dhe, kundër bindjes së drejtuesve të LSDM-së se kultura politike e shqiptarëve të Maqedonisë, nuk dallon shumë nga ajo e Hamdi Bajramit: gjithmonë t’i nënshtrohesh më të fortit, e të pushtetshmit!/Almakos

