Dabat i ashpër në Kuvendin e Maqedonisë në ditën e parë të diskutimit për Propozim-ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Që para votimit të rendi të ditës, grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së akuzoi shumicën parlamentare se me anë të këtij ligji dëmton Kushtetutën dhe keqpërdorë flamurin e Bashkimit Evropian. Deputetët e VMRO – DPMNE-së me akuza të ashpra në drejtim të BDI-së. Milloshoski në replikën e tij për Xhevat Ademin tha se BDI ka dështuar tërësisht në realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe këtë ligj e konsideron si mundësi të shpëtimit të partisë.
“Interesi për shqiptarët i z.Ademit është i barabartë me interesin e Teuta Arifit për të luftuar deponinë që helmon shqiptarët në Tetovë. Interesi i z.Ademi për shqiptarët është i barabartë sa interesi i Ramiz Merkos dhe Zijadin Selës bashkë, për deponinë në Strugë që helmon shqiptarët dhe maqedonasit atje. Domethënë BDI me 10-15 vite në qeveri, në pamundësi të punësojë shqiptarë sipas Marrëveshjes së Ohrit duke mos u kërkuar para, këtë ligj e ofrojnë si kompensim për shqiptarët”, tha në replikën e tij anëtari i VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Por deputeti i BDI-së Xhevat Ademi me qëndrim diamtralisht të kundërt. Sipas tij, ky ligj dukshëm avancon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe nuk është në dëm të komuniteteve tjera. Ademi qetëson qytetarët e përkatësive tjera etnike, duke shtuar se ky ligj në asnjë mënyrë nuk cënon karakterin unitar të Maqedonisë dhe shërben për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Në fjalimin Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi tha se propozim-ligji i themeluar prej ekspertëve është në fakt rrumbullaksim i Marrëveshjes së Ohrit.
“Sot para nesh kemi pjesën e fundit normative që rrjedh nga këto amandamente kushtetuese, që parasheh rregullimin e përdorimit të gjuhëve, në përputhje me ligj, ligj të cilin e kemi sot ne në seancë në Komisionin për Çështje Evropiane.”, tha Grubi.
Në seancën e sotshme të Komisionit për Çështje Evropiane mysafir të pranishëm kishte përfaqësues të ambasadave në vend si dhe të OSBE-së. Siç paralajmëroi kryetari i Komisionit Artan Grubi, debati mbi këtë ligj do të zgjat gjithësej tre dit dhe më tutje ky debat pritet të vazhdoj në seancë plenare të Kuvendit. /Almakos.com
Blerim Ismaili
Almakos.com

