Kur edhe Maksim Dimitrievski, një politikan që nuk ka arritur të ndërtojë peshë politike përtej retorikës nacionaliste, merr guximin t’i disiplinojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të VLEN-it, atëherë problemi nuk është më te Dimitrievski. Problemi është te pafuqia dhe nënshtrimi i VLEN-it. Ata janë bërë aq të dobët, sa kushdo në këtë qeveri e ndien se mund t’u flasë me gjuhën e ultimatumit, pa pasur frikë se do të marrë qoftë edhe një përgjigje.
Kjo nuk është hera e parë. Pikërisht Maksim Dimitrievski ishte ndër të parët që, në fillim të kësaj qeverie, imponoi praktikën e papranueshme që përfaqësuesit shqiptarë të mos e përdorin flamurin kombëtar shqiptar në takimet zyrtare. Sot, përfaqësuesit e VLEN-it nuk guxojnë ta vendosin flamurin shqiptar as mbi tavolinën e tyre, ndonëse ishte Bashkimi Demokratik për Integrim ai që e legalizoi dhe e institucionalizoi me ligj përdorimin e flamurit kombëtar. Kjo është diferenca mes atyre që fitojnë të drejta dhe atyre që i dorëzojnë ato në heshtje.
Tani, për 2 Gushtin, Dimitrievski i drejtohet publikisht Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke e qortuar dhe disiplinuar si të ishte vartësi i tij politik. E çfarë bën Afrim Gashi? Hesht. Si gjithmonë. I njëjti Afrim Gashi që nuk gjeti guxim të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, por u përpoq të arsyetojë ata që e kontestojnë atë. I njëjti që mbrojti Stoilkoviqin dhe ndryshonte arsyetimin nga dita në ditë për fshehjen e video-incizimeve, herë duke thënë se përbëjnë të dhëna personale, herë se përgjegjësinë e ka Ministria e Punëve të Brendshme. Një sjellje që dëshmon mungesë integriteti dhe mungesë kuraje politike.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që ulin kokën sa herë i qorton një partner i koalicionit. Nuk kanë nevojë për njerëz që heshtin kur preket dinjiteti kombëtar dhe institucional. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë të drejtat e fituara, që flasin kur cenohet barazia dhe që nuk e ndërrojnë dinjitetin me kolltukun.
Mjaft me politikën e servilizmit. Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi meritojnë përfaqësues me dinjitet, me guxim dhe me zë. Jo përfaqësues që presin të disiplinohen nga të tjerët dhe pastaj zgjedhin heshtjen si formën e vetme të veprimit politik. Heshtja e VLEN-it nuk është maturi. Është dorëzim.



