
LSDM i ka dorëzuar BDI-së dokumentin me shkrim lidhur me kushtet për koalicionin qeverisës. Nga partia e Zaevit për momentin nuk japin më shumë hollësi për përmbajtjen e përgjigjes, por thonë se dokumenti është i mjaftueshëm dhe me të BDI nuk ka më asnjë pengesë për t’i dhënë nënshkrimet e nevojshme që Zaev të marrë mandatin nga presidenti për të formuar Qeverinë.
“Kemi dorëzuar dokument që mundëson dhënien e shpejtë dhe pa pengesa të nënshkrimeve të nevojshme për ta marrë mandatin”, ka thënë Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Por, nga BDI nuk japin ende asnjë përgjigje nëse oferta e LSDM-së është e pranueshme ose jo. Përkundrazi, kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ende mban në tavolinë edhe mundësinë e koalicionimit me VMRO-DPMNE-në si dhe opsionet e tjera të nxjerra në mbledhjen e fundit të kryesisë. Pas takimit me ambasadoren e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, siç njoftojnë nga BDI, Ahmeti ka thënë se do të shqyrtojnë përfitimet dhe pasojat nga secili prej pesë opsioneve ku bëjnë pjesë edhe zgjedhjet e reja, Qeveria me VMRO-në dhe të tjera.
“Ahmeti prezantoi pesë opsionet e mundshme të BDI-së për dalje nga kriza politike duke theksuar qasjen tonë shumë të kujdesshme në adresimin e këtij ngërçi për arsye të ndjeshmërisë së madhe të situatës në vend, por edhe në rajon. BDI ka konsideratë për rëndësinë që vendimi ynë e ka dhe prandaj shqyrton thellësisht dhe gjerësisht çdo probabilitet, çdo avantazh dhe çdo pasojë që mund të ketë përcaktimi jonë”, kanë thënë nga BDI.
Në anën tjetër, ka reaguar VMRO-DPMNE, e cila ka kërcënuar se nuk do të lejojnë që LSDM të realizojë platformën e partive shqiptare. Nga partia e Nikolla Gruevskit kanë ftuar edhe një herë Zoran Zaevin që të pranojë zgjedhje të reja parlamentare me qëllim që siç thuhet, t’i jepet fund krizës politike.
“Në vend të kësaj Zaevi vendosi të ikë, të fshihet dhe të ofrojë garanca dhe lëshime me çmim të interesave nacionale, vetëm që të vijë në pushtet dhe ta injorojë vullnetin e qytetarëve pa zgjedhje. Nëse Zaev mundohet të shtyjë platforma dhe agjenda në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve, VMRO-DPMNE do të bëjë çmos që t’i mbrojë interest nacionale”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.
Por, jo zyrtarisht mësohet se përveç konsultave brendapartiake, BDI do të konsultohet edhe me partitë e tjera shqiptare, Lëvizjen Besa dhe Aleancën për Shqiptarët. Këta të fundit presin që Ahmeti t’i njoftojë detajisht edhe ata për dokumentin që ka pranuar nga partia e Zaevit, në një takim të cilin presin ta thërrasë Ahmeti.
Arben Zeqiri /SHENJA/
BDI shqyrton ofertën e LSDM-së për Qeverinë by tvshenjaofficial

