Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me një deklaratë pas një sulmi të rëndë me prapavijë ndëretnike që ka ndodhur sot në qytetin e Tetovës.
Sipas deklaratës së BDI-së, një grup personash të nacionalitetit maqedonas kanë sulmuar disa të rinj shqiptarë, adoleshentë, të cilët kanë mbetur të lënduar rëndë. Partia e cilëson incidentin si një “akt barbar, të rrezikshëm dhe të papranueshëm”, që përbën kërcënim serioz për qetësinë publike dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Më poshtë reagimi i plotë i BDI:
E dënojmë ashpër aktin e dhunës së paprecedent që ka ndodhur sot në qytetin e Tetovës, ku një grup më i madh personash, sipas deklaratave të viktimave të lënduara rëndë, ishin të nacionalitetit maqedonas dhe sulmuan disa të rinj shqiptarë adoleshentë.
Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike.
U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve të mundshme dhe të rrezikshëm që synojnë destabilizim dhe tension ndëretnik.
Njëkohësisht e themi qartë: heshtja institucionale dhe mosndëshkimi i autorëve vetëm sa i thellojnë dyshimet për këto skenare, dëshmojnë padrejtësinë dhe u japin krah dhunuesve.
Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që të rinjtë shqiptarë sulmohen, më parë në Manastir dhe tani në Tetovë. Ky është një sinjal alarmi për të gjithë: shteti duhet të reagojë menjëherë, sepse dhuna nuk do të tolerohet kurrë!