Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzoi Qeverinë se me rebalancin e Buxhetit për vitin 2026 ka injoruar interesat e shqiptarëve, duke refuzuar të gjitha amendamentet e propozuara nga grupi parlamentar i kësaj partie informon Tetovasot.
Në një konferencë për media, BDI tha se amendamentet e paraqitura nuk kishin karakter partiak, por synonin më shumë investime për komunat shqiptare, zhvillim të barabartë rajonal, mbështetje për shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën, si dhe një shpërndarje më të drejtë të mjeteve buxhetore.
Sipas BDI-së, asnjë nga këto propozime nuk u pranua nga shumica parlamentare.
“Kur refuzohet financimi për Klinikën Universitare në Tetovë, kur nuk sigurohen mjete shtesë për Spitalin e Kërçovës dhe kur nuk mbështetet zhvillimi i barabartë rajonal, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse shqiptarët trajtohen me të njëjtin standard si pjesa tjetër e vendit”, deklaruan nga BDI.
Partia opozitare vlerëson se Qeveria, në vend që të korrigjojë pabarazitë, po i thellon ato, duke favorizuar zona të caktuara dhe duke lënë pas dore komunat me shumicë shqiptare.
Sipas BDI-së, në rebalancin e buxhetit mungojnë mjete për Klinikën Universitare në Tetovë, nuk ka rritje të investimeve për komunat shqiptare, janë zvogëluar fondet për zhvillim të barabartë rajonal dhe mungon transparenca për shpërndarjen e investimeve kapitale.
Nga kjo parti u theksua se refuzimi i amendamenteve nuk është vetëm refuzim i opozitës, por edhe i kërkesave të mijëra qytetarëve shqiptarë që presin investime dhe trajtim të barabartë.
BDI gjithashtu akuzoi Qeverinë se kjo mënyrë e vendimmarrjes përbën majorizim dhe se imponimi i politikave pa dialog, sipas tyre, rrezikon të krijojë një sistem autoritar që bie ndesh me aspiratat eurointegruese të vendit.
Në fund, BDI bëri të ditur se do të vazhdojë të kërkojë shpërndarje të barabartë të investimeve publike dhe trajtim të njëjtë për të gjitha komunat dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.TS



