Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se Inspektorati për Administratë ka vërtetuar, siç thonë ata, “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ana e ministrit të Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet. Nga BDI thonë se Mexhitit i janë marrë kompetencat.
“Në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit. Ky institucion, që deri në mandatin e BDI-së udhëhiqej nga një kuadër shqiptar, tani është vënë nën kontrollin e një drejtori të emëruar nga VMRO- DPMNE-në. Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë”, thonë mes tjerash nga BDI.