Bashkimi Demokratik për Integrim ka publikuar një komunikatë zyrtare, në të cilën akuzon Komunën e Tetovës dhe kryetarin e saj Bilall Kasami për pengim të zbatimit të përmbarimit përmes një manovre të dyshimtë financiare.
Sipas BDI-së, Komuna e Tetovës nuk ka arkëtuar tatimin në vlerë prej 1.568.400 denarësh nga transaksioni i njohur si “rasti i Monopolit”. Siç thuhet, në vend që kjo shumë të përfundonte në buxhetin e komunës, ajo është ceduar në mënyrë të dyshimtë te kompania “Euro Invest Beton”, një subjekt që sipas BDI-së ka lidhje të ngushta me pushtetin lokal.
“Ky cesion nuk është përdorur si një mjet i zakonshëm ligjor, por si një manovër për të anashkaluar përmbaruesit dhe për të shmangur bllokimin e llogarive zyrtare të komunës,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
Sipas komunikatës, kjo sjellje përbën pengesë të drejtpërdrejtë ndaj zbatimit të vendimeve përmbarimore, duke cenuar rëndë funksionimin e ligjshëm të shtetit, procedurat e drejtësisë dhe interesin e qytetarëve përmes buxhetit komunal.
BDI thekson se përmes këtij veprimi është favorizuar në mënyrë të njëanshme një kompani private, në dëm të kreditorëve të tjerë të ligjshëm, gjë që përbën shkelje të rëndë të barazisë ligjore dhe transparencës financiare në administratën publike.
“Përdorimi i cesionit për të pamundësuar arkëtimin nga llogaria zyrtare përbën pengim të drejtësisë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim favorizimin e klientëve partiak,” thuhet më tej në komunikatë.
BDI sipas komunikatës kërkon hetim të plotë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për atë që e konsideron si një skandal të radhës në menaxhimin e Komunës së Tetovës, me pasoja të drejtpërdrejta për financat publike dhe për besimin e qytetarëve në institucionet lokale.