Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve për mosveprim, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të këtij institucioni, të cilin e lidh me koalicionin VLEN.
Sipas BDI-së, brenda një dite Qyteti i Shkupit ka shkelur dy herë detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe, ndonëse, siç thekson partia, Shkupi është qytet dygjuhësh dhe institucionet e tij kanë obligim ligjor që shqipja të përdoret në komunikimin zyrtar.
“Në këtë situatë, pyetja është e drejtpërdrejtë: ku është Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se Inspektorati është krijuar për të evidentuar shkeljet, për të urdhëruar korrigjimin e tyre dhe për të shqiptuar masa ndaj institucioneve që nuk zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por pretendon se institucioni është paralizuar.
BDI akuzon se drejtori i emëruar nga VLEN po hesht përballë, siç e cilëson, shkeljeve flagrante, ndërsa shton se mosveprimi i Inspektoratit po inkurajon shkeljen e ligjit dhe po e shndërron përjashtimin e gjuhës shqipe në praktikë institucionale.
Në reagimin e saj, BDI kërkon:
dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve;
përgjegjësi politike nga VLEN, për të cilin pretendon se ka bllokuar funksionimin e institucionit;
ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj të gjithë përgjegjësve që, sipas saj, shkelin Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
“Ligji duhet të zbatohet. Inspektorati duhet të veprojë. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, përfundon reagimi i BDI-së.



