Mubekir PALLOSHI
Lufta e vitit 2001, mundësoi që shqiptarët e Maqedonisë fuqimisht të mbështesin Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e cila u lind nga disa individ e u rrit dhe u kultivua nga populli. Kjo ishte koha kur shqipëtarët për kauzën kombëtare sakrifikuan ato më të shtrejtat që kishin, lirinë, pasurinë bile edhe jetën. Dhe si pasojë e kësaj sakrifice, shqiptarët e përkrahën BDI-në, opcionin politik të dalë nga ky konflikt dhe i cili ngjalli shpresa të krenarisë te të gjithë shqiptarët. Shpresa ishte edhe më e madhe nga shkaku që në strukturat politike të saj, u rreshtuan ushtarakët më të lartë dhe më të guximshëm nga lufta e 2001.
Kjo strukturë politike e quajtur BDI e kishte bazën më të shëndoshë se kurrë më herët që çështjet e pambyllura shqiptare në Maqedoni, të mbyllen njëherë e përgjithmonë dhe zhvillimet bashkëkohor të fillojnë të jetësohen edhe vendbanimet shqiptare.
Por, krenaria e të qenurit BDI, u zbeh shumë shpejt dhe e njëjta deri më vitin 2015 u shëndrua në lot,dhimbje, mllef dhe urrejtje. Vallë, funksionarët e sotëm të BDI-së, si i shohin këto 14 vite të kaluara.
Vallë, funksionarët e BDI-së, si bëjnë gjumë natën me familjet e tyre, kur fëmijët e komandantëve të UÇK-së, edhe shumë vite pas përfundimit të 2001, po vazhdojnë të mbesin jetimë nga policia e pushtetit të BDI-së?
Vallë, funksionarët e BDI-së, si bëjnë gjumë natën me familjet e tyre, kur fëmijët e komandantëve të UÇK-së, çdo ditë luten për lëmoshë ndaj tyre dhe mëshirë ndaj prindërve të tyre të burgosur nga pushtetarët e BDI-së?
Sot, në këtë strukturë politikë nuk mbeti gatise asnjë ushtarak dhe komandant i suksesshëm nga lufta e vitit 2001.
Sot, në BDI kanë mbetur njerëz të kapur nga shërbimet e ndryshme dhe njerëz të korruptuar thellë.
Sot, në BDI kanë mbetur njerëz të cilëve në mungesë të zgjidhjes së nevojave të popullit, përfshirë këtu edhe ish ushtarët e luftës si dhe familjet e rënëve gjatë dhe pas luftës, atyre u intereson vetëm zgjidhja e nevojave personale.
Sot, në BDI kanë mbetur njerëz “më shka se shkau”.
Sot, krenaria e dikurshme është shëndruar në dhimbje dhe është bërë turp të jesh strukturë dhe anëtarë i BDI-së.
Sot, ka ardhur koha që shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta dënojnë këtë strukturë politike dhe të përkrahin ata të cilët asnjëherë nuk do të lejonin dhimbje dhe turp për bashkëkombasit e tyre, të përkrahin njerëzit ME BESË.