Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron për një rënie serioze të investimeve të huaja direkte në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar përgjegjësi politike nga qeveria aktuale.
Sipas kësaj partie, gjatë vitit 2025 investimet e huaja direkte kanë rënë me 61% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 468 milionë euro. BDI e vlerëson këtë si një nga rezultatet më të dobëta në rajon dhe një sinjal shqetësues për ekonominë e vendit.
Në deklaratë theksohet se investitorët e huaj kërkojnë siguri ligjore, institucione funksionale, stabilitet politik, administratë profesionale dhe një perspektivë të qartë euroatlantike. “Kur shteti krijon pasiguri, tensione politike dhe mungesë drejtimi strategjik, kapitali zgjedh destinacione të tjera”, thuhet më tej.
BDI paralajmëron se pasojat e kësaj rënieje janë të drejtpërdrejta dhe serioze, duke përfshirë uljen e vendeve të punës, prodhimit dhe mundësive për paga më të larta, si dhe më pak perspektivë për të rinjtë.
Partia gjithashtu kritikon qeverinë, duke theksuar se në vend të zhvillimit ekonomik të premtuar dhe investimeve rekord, rezultatet janë të kundërta. Sipas tyre, izolimi i brendshëm politik, përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, tensionet me partnerët ndërkombëtarë dhe ngecja e procesit eurointegrues po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi.
“Duhet të ketë përgjegjësi të qartë politike për këtë situatë. Një qeveri që në një kohë të shkurtër e ka çuar vendin në fund të rajonit për sa i përket investimeve të huaja nuk ka besueshmërinë për të kërkuar durim nga qytetarët”, thuhet në deklaratë.
Në fund, BDI vlerëson se dorëheqja e qeverisë është hapi i parë për rikthimin e besimit, stabilitetit dhe perspektivës së zhvillimit të vendit.

