Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku sipas tyre “Agresioni i paprovokuar dhe i dhunshëm i Rusisë ndaj Ukrainës u përshkrua si operacion ushtarak”. Nga BDI thonë se një narrativë e tillë është e papranueshme dhe bie në kundërshtim me qëndrimet e shtetit tonë si anëtar i NATO-s dhe si vend aspirant për integrim evropian.
“Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një “operacion ushtarak” relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas. BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit. Përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të pasqyrojnë qartë dhe me përgjegjësi pozicionin e vendit tonë, duke respektuar angazhimet tona ndërkombëtare dhe aleancat strategjike. I bëjmë thirrje Presidentes të reflektojë mbi përgjegjësinë e saj për të përfaqësuar me dinjitet dhe qartësi interesat dhe vlerat e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.