Një ekspozitë institucionale që fshin shqiptarët nga ekspozeja e trashëgimisë kulturore e arkeologjike në këto troje. Kështu ka akuzuar Sekretariati për Kulturë i Bashkimit Demokratik për Integrim me rastin e ekspozitës së re në Muzeun Arkeologjik e që u paraqit nga Qeveria si një “moment i madh kulturor” dhe si dëshmi se Maqedonia “e çmon historinë e vet”.
“Hapja e ekspozitës së re në Muzeun Arkeologjik u paraqit nga qeveria si një ‘moment i madh kulturor’ dhe si dëshmi se Maqedonia ‘e çmon historinë e vet’. Por pas fjalimeve të kryeministrit Misckovski fshihet një e vërtetë e hidhur, ky projekt është vetëm një tjetër përpjekje për të ndërtuar një identitet ekskluzivisht maqedonas, duke përjashtuar shqiptarët nga narrativi shtetëror. Në fjalimin e kryeministrit nuk hasim asnjë referencë ndaj trashëgimisë shqiptare, megjithëse shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një faktor i pazëvendësueshëm historik dhe autokton në këto troje. Përmenden ‘civilizime të mëdha që kanë kaluar’ por heshtet për ilirët, dardanët, arbërit, shtresat kulturore që përbëjnë rrënjët e shqiptarëve. Ky është një falsifikim i heshtur, prezantimi i historisë vetëm si ‘maqedonase’ e kthen muzeun nga institucion kulturor në mjet propagandistik”, reagon Sekretariati për Kulturë i BDI-së.
Mesazhi i Mickovskit është i qartë, thuhet më tej në reagim, kultura si monopol i shumicës, ndërsa shqiptarët mbeten të padukshëm. Kjo është vazhdimësi e një politike të vjetër, ku institucionet e kulturës nuk reflektojnë realitetin multietnik të vendit.
“Një muze që nuk përfaqëson gjithë trashëgiminë, por vetëm një version etnik të saj, nuk është as dritare drejt botës, as temel i identitetit, është thjesht një mur përjashtimi. Në këtë skemë, VLEN del si partner i nënshtruar, i reduktuar i cili mund të flet për kanalizime, ujësjellës dhe projekte mediokre, ndërsa temat e mëdha, kultura, identiteti, trashëgimia, mbeten jashtë duarve të shqiptarëve. Ky është turpërimi më i madh politik që u bëhet shqiptarëve, ku mbetën të pa përfaqësuar në qeveri, pa zë në çështjet që e definojnë kujtesën dhe krenarinë e një kombi. Një shtet që përpiqet të promovojë dhe interpretoj vetëm një pjesë të historisë nuk ndërton vizion, por fshehje. Kjo ekspozitë, në vend që të jetë pasqyrë e realitetit, është një perde që mbulon shqiptarët dhe rolin e tyre në historinë e vendit”.
Në vend që të jetë një projekt i përbashkët, vijon reagimi, kjo ekspozitë është kthyer në një instrument të përjashtimit. Shqiptarët nuk mund të mbeten publik i heshtur në një teatër ku skenarin e shkruajnë të tjerët. Nëse kultura është ‘temel i kombit’, atëherë është detyrë e çdo qeverie ta ndërtojë mbi të gjitha shtresat e historisë, jo vetëm mbi një pjesë të saj. Përndryshe, çdo fjalim mbetet propagandë, e jo politikë shtetërore. Dhe për fund, a shihni ndonjë shqiptar në këtë foto?”, pyet Sekretariati për Kulturë i Bashkimit Demokratik për Integrim.