Pjesë e koalicionit të krimit. Fajtor për gjendjen në të cilën ka rënë vendi dhe qytetarët. Parti me udhëheqësi të kriminalizuar që ka menduar vetëm për para, fuqi dhe pushtet. Nuk kanë dallim nga VMRO-DPMNE. Kështu thoshte kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, raporton SHENJA, për Bashkimin Demokratik për Integrim deri para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Por, sot të gjitha këto akuza, jo vetëm që nuk u procesuan në institucionet e drejtësisë, por BDI brenda natës u shndërrua në partner strategjik për LSDM-në, ndërsa kandidatët e kësaj partie u bënë figurat më të mira për Zoran Zaevin.
“Vazhdojmë që edhe konkretisht ta shpalosim fytyrën e vërtetë të kryesisë së BDI-së. Është e qartë përgjegjësia e tyre për situatën e tmerrshme në Maqedoni, në çdo kuptim. Dhe nga materialet e prezentuara der më tani se asgjë nga ajo që ka bërë Gruevski, nga kriminaliteti dhe korrupsioni, deri te shkelja e të drejtave të njeriut nuk ka mundur ta bëjë pa dijen dhe mbështetjen e partnerit të tij të koalicionit BDI”, kishte thënë Zaev më 16.06.2016.
Zaev në të njëjtën konference akuzoi BDI-në edhe si bashkëfajtore në aferën e përgjimeve, ndërsa kryesinë e kësaj partie e barazoi me kryesinë e VMRO-DPMNE-së.
“Thashë që nga BDI kanë qenë edhe shumë të kujdesshëm kur kanë folur në telefon, që dëshmon se mirë e kanë ditur se përgjohen, por megjithatë, audi inçizimet që do ti dëgjoni tani janë të mjaftueshme për ta shpalosur sundimin e grupit të ngushtë në BDI që për shumë gjëra ngjan në grupin e ngushtë të Gruevskit. Shkak i durimit të tyre në pushtet edhe kur kanë qenë të nënçmuar, dëshmon se qëllimi primar nuk kanë qenë qytetarët, elektorati i tyre, por fuqia, pushtet për interesa personale dhe për para”, ka deklaruar Zaev në të njëjtën konferencë.
Zaev ishte i bindur se krerët e BDI-së shumë shpejt do të dalin para drejtësisë, ndërsa përveç bisedave që kishte publikuar ai pretendonte se ka edhe biseda të tjera për funksionarë të kësaj partie.
“Hapëm dy bomba nga 34 apo 37 sa i hapëm, ishin për BDI të dyja. Dhe ja publikisht them, kanë qenë të koruptuar edhe pjesa e BDI-së dhe nuk mund të ikin nga kjo. Bashkë me VMRO-në kanë ndarë para, pronësi të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të Maqedonisë. Për paratë e shkreta ka rrëshqitur kjo shoqëri, jo për diçka tjetër, gjithsesi, fuqia për para”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev më 13.09.2016.
Mëkati i BDI-së sipas Zaevit nuk kishte qenë vetëm koalicionimi me VMRO-DPMNE-në, por edhe veprimi i zyrtarëve të lartë. Ai nuk kishte kursyr nga akuzat as vetë kreun e partisë, Ali Ahmetin.
“Ali Ahmeti dhe BDI janë pjesë përbërëse e këtij pushteti dhe kanë vepra joligjore, një pjesë e atyre njerëzve si edhe një pjesë e garniturës së VMRO-DPMNE-së që kanë veprime joligjore dhe kriminale, jo të gjithë, por një pjesë dhe këtë e thash që në fillim”, ka thënë Zoran Zaev më 03.05.2015.
Por pas gjithë këtyre deklaratave, LSDM dhe BDI arritën marrëveshje koalicioni. LSDM do të mbështes kandidatët e BDI-së në Çair dhe disa komuna të tjera, ndërsa BDI si kompenzim nuk ka kandiduar në qytetin e Shkupit, por aty dhe në komuna të tjera, që në rreth të parë do të ftojë që votat e shqiptarëve të shkojnë për LSDM-në.
Arben Zeqiri

