Me tone të ashpra dhe akuza të drejtpërdrejta, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka sulmuar sot politikisht Izet Mexhitin, duke e cilësuar si simbol të korrupsionit, nepotizmit dhe tradhtisë politike gjatë dy dekadave të fundit në Komunën e Çairit.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i BDI-së, Bekim Berisha, deklaroi se Izet Mexhiti ka keqpërdorur pushtetin lokal për përfitime personale dhe familjare, duke e kthyer Çairin në një shembull të mjerimit urban dhe administrativ.
“Izet Mexhiti për 20 vite e përdori Çairin si bankomat personal dhe trampolinë për pushtet. Tenderë të manipuluar, kontrata me firma të lidhura me familjarët dhe dhjetëra të punësuar që marrin paga pa punuar – kjo është trashëgimia e tij politike,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, miliona euro të destinuara për zhvillimin urban janë përvetësuar nga rrethi i ngushtë i Mexhitit, duke lënë pas një komunë pa projekte madhore, pa planifikim dhe me infrastrukturë të degraduar.
“Çairi sot është një komunë me rrugë të shkatërruara, mbeturina në çdo cep dhe asnjë vizion për të ardhmen. Në vend që të ndërtohej një komunë moderne, Mexhiti e shndërroi atë në simbol të prapambetjes,” – shtoi Berisha.
Ai theksoi se Mexhiti i ka përdorur qytetarët vetëm për vota, ndërsa personalisht është zhvendosur për të jetuar në vilën e tij në Butel, duke u larguar nga realiteti i përditshëm i Çairit.
“E braktisi Çairin sapo arriti qëllimet e tij: pushtet dhe pasuri. Kjo tregon qartë se nuk e ka dashur kurrë këtë komunë dhe qytetarët e saj,” – akuzoi Berisha.
Në përfundim të deklaratës, zëdhënësi i BDI-së u shpreh se 19 tetori do të jetë dita kur Çairi do të çlirohet nga “pengmarrja politike” e Mexhitit dhe “kompanisë së tij”.
“Kjo është një mundësi për qytetarët të japin fund epokës së korrupsionit dhe të hapin një kapitull të ri të ndershmërisë dhe zhvillimit për Çairin,” – përfundoi Berisha.