Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka reaguar ndaj, siç e cilëson, uzurpimit të njërit prej parqeve publike në këtë komunë, duke akuzuar një drejtor të emëruar nga VLEN se ka vendosur një objekt komercial në hapësirë publike. Në një kumtesë për media, BDI-ja në Çair thekson se hapësirat publike nuk mund të shndërrohen në interes privat të funksionarëve politikë dhe se parqet duhet të mbeten në shërbim të qytetarëve.
“Parqet publike nuk janë biznes privat i funksionarëve të VLEN-it. Dega e BDI-së në Çair dënon uzurpimin e njërit prej pak parqeve publike në Çair nga drejtori i emëruar nga VLEN, i cili ka vendosur objekt komercial në hapësirë publike”, thuhet në reagim. Nga kjo parti hedhin poshtë arsyetimet se objekti komercial synon ta “gjallërojë” parkun, duke vlerësuar se një veprim i tillë nuk mund të justifikojë privatizimin e hapësirave publike. “Përpjekjet për ta paraqitur këtë si ‘gjallërim’ të parkut nuk e fshehin thelbin e skandalit. Parqet gjallërohen me investime për qytetarët, jo me privatizimin e tyre në interes të funksionarëve partiakë”, thuhet më tej në kumtesë. BDI-ja kritikon edhe Komunën e Çairit, për të cilën thotë se po hesht përballë këtij rasti, në vend që të mbrojë pronën publike dhe të zbatojë ligjin. “Edhe më skandaloze është heshtja e Komunës së Çairit, e cila, në vend që të mbrojë pronën publike dhe të zbatojë ligjin, po toleron këtë uzurpim”, thekson dega e BDI-së.
Në reagim kërkohet publikimi i menjëhershëm i të gjithë dokumentacionit dhe lejeve që lidhen me objektin komercial, ndërsa në rast se ato mungojnë, kërkohet largimi i tij. “Kërkojmë publikimin e menjëhershëm të të gjitha lejeve dhe dokumentacionit për këtë objekt. Nëse ato nuk ekzistojnë, objekti duhet të largohet menjëherë. Prona publike u takon qytetarëve, jo funksionarëve të VLEN-it”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Çair.



