Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj avancimeve të fundit të realizuara nga Ministria e Kulturës, duke shprehur shqetësim të thellë për, siç thuhet në reagim, një prirje të rrezikshme të përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet kulturore shtetërore, transmeton Flaka
Sipas BDI-së, në vendimin e fundit për 12 avancime brenda kësaj ministrie, vetëm një pozitë i është dhënë një shqiptari dhe ajo në një nivel të dytë renditjeje, gjë që sipas tyre tregon qartë një politikë të vetëdijshme të marginalizimit të përfaqësimit kulturor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në reagim thuhet se për më shumë se një vit, nuk është bërë asnjë punësim i ri në institucionet kulturore të drejtuara nga shqiptarët. “Ansamblet kulturore janë në shuarje të plotë, artistët në margjinë dhe institucionet pa jetë, pa investime dhe pa vizion. Ansambli Muzikor është lënë si relikt simbolik, pa mbështetje dhe pa perspektivë”, thuhet më tej në deklaratë.
BDI thekson se përgjegjësia nuk i takon vetëm Ministrisë së Kulturës, por edhe pjesës së VLEN-it që është pjesë e qeverisë, e cila sipas tyre ka dështuar të mbrojë interesat kulturore të shqiptarëve, duke pranuar një rol pasiv dhe dekorativ përballë këtij diskriminimi institucional.
Partia u bën thirrje artistëve, intelektualëve dhe gjithë opinionit publik që të bashkëreagojnë ndaj kësaj situate, duke paralajmëruar se BDI do ta ngrejë këtë çështje në çdo nivel institucional dhe ndërkombëtar.
“Kultura është identitet. Fshirja e saj është sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë”, përfundon reagimi i BDI-së. Flala