06 October
Ekipi i Katica Janevës tashmë ka filluar me analizimin e të dhënave të sekuestruara nga kompjuteri zyrtar i Pançevskit dhe materialeve të gjetura në shtëpinë e tij. Janeva as sot nuk dha hollësi, por as konfirmoi e as mohoi nëse Pançevski i ka dhënë sekrete shtetërore presidentit Gjorgje Ivanov, i cili më pas në bazë të atyre informatave e ka hartuar listën për falje me të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët në rastet e Prokurorisë speciale.
Këtë nuk mund ta konfirmoj. Ato janë spekulime dhe supozime. Atë që kërkonim dhe që është gjetur në shtëpinë e Pançevskit e kemi marrë, ndërsa a është ajo gjithçka që na nevojitet, këtë nuk mundem ta them, nuk është e mundur të thuhet- tha Katica Janeva, Prokuroria Speciale.
Paralelisht me kontrollimin e sistemit AKMIS, një ekip i hetuesve të PSP-së bashkë me policinë ka marrë materiale për nevojat e procedurës parahetimore edhe nga shtëpia e Pançevskit edhe nga shtëpitë e dy ekspertëve të informatikës të punësuar në gjykatë. Telefoni celular i Pançevskit është një nga dëshmitë prej ku do të konfirmohet nëse ish kryetari i Penales ka kurdisur lëndë dhe ato ua ka ndarë gjykatësve të përshtatshëm. Alsat M jozyrtarisht mëson se telefoni duhet të japë informata se me kë ka kontaktuar Pançevski dhe në ç’mënyrë ka dhënë sekrete zyrtare lidhur me rastet e PSP-së.
Dje janë grumbulluar ekipet tona edhe nga MPB-ja. Lidhur me bastisjet sot do të përgatiten procesverbalet për gjithçka që është marrë dhe do të dorrëzohet në prokurori dhe për këtë jemi të obliguar ta informojmë edhe gjykatën e cila lëshoi urdhrin- theksoi Katica Janeva.
Konferenca për shtyp e PSP-së në Gjykatën penale, rastësisht apo jo, vijoi pasi gjykata informoi se edhe aktakuzën e katërt të tyre do e gjykojë Lidija Petrovska, e cila pas publikimit të bombave mori epitetin “Svarovski”. Ajo do t’i gjykojë tre nga katër rastet e PSP-së që u pranuan nga këshillat e Gjykatës Shkupi 1. Për atë se është keqpërdorur sistemi AKMIS, në raportin e dytë vërejtje kishte edhe Rajnhard Pribe. Dje paralelisht me bastisjen e PSP-së në gjykatën penale, analizë të sistemit informatik në gjykatë bëri edhe komisioni i ministrisë së drejtësisë.
Bojan Stojanovski

