Sonte me datë, 29.03.2022, në hapësirat e restorant Parku në Kumanovë, u mbajt kuvendi zgjedhor i degës së Alternativës në Kumanovë.
Në Kuvend morën pjesë kuvendarët e degës të zgjedhur nga të gjitha nëndegët si dhe Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor, mysafir dhe dashamirë.
Komisioni për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme të Alternativës në Kumanovë para të pranishmëve prezantoi raportin mbi aktivitetet e deritanishme të realizuara në secilën nëndegë, raport i cili u miratua nga ana e Kuvendarëve. Në raport u përmend fryma pozitive e cila ka mbretëruar tek secila nëndegë dhe trup i Alternativës si dhe prurjet e reja të cilat kanë pasuruar radhët e Alternativës dhe janë shpresë për fitoren bindëse në zgjedhjet e rradhës kurdo që ato të mbahen.
Fryma pozitive e cila ka mbretëruar gjatë këtij procesi ka qenë meritë edhe e ushtruesit të detyrës kryetar deri në këtë kuvend, Bashkim Murtezi i cili ka qenë i hapur dhe transparent për të gjitha dilemat e mundshme.
Bashkim Murtezi në mënyrë unanime u zgjodh kryetar i Alternativës dega në Kumanovë me mandat të plotë katër vjeçar.
Po ashtu u propozuan dhe u zgjodhën, anëtarët e Kuvendit në nivel Qëndror, ku vlen të theksohet se Alternativa në Kumanovë është e përfaqësuar denjësisht!
Mysafirët nga Komisioni Qëndror i zgjedhjeve, përshëndetën Kuvendin e degës si dhe shprehën fjalë miradije për mënyrën e organizimit të këtij kuvendi. U theksua se një kuvend i tillë duhet që të merret shembull edhe nga degët tjera.


