Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Media mëson se një rast dhune në familje është raportuar mbrëmjen e 4 qershorit në fshatin Carrabreg i Epërm të komunës së Deçanit, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për ushtrim dhune psikike të vazhdueshme.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime brenda hetuesisë, viktima është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka kohë që ushtroi presion dhe dhunë psikike ndaj saj brenda mjedisit familjar.
Pas intervistimit të viktimës dhe procedurave të parapara, rreth mesnatës është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka vlerësuar se në rast ekzistojnë elementët e veprës penale “Dhuna në familje”.
I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima ka refuzuar strehimin emergjent dhe ka zgjedhur me vullnet të kthehet në shtëpinë e fëmijëve të saj.
Rasti është në hetim dhe pritet të ndërmerren veprime të mëtejshme procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.