Në një takim me sipërmarrës të ndryshëm dhe përfaqësues të biznesit gjerman, kreu i Partisë Demokratike ka treguar disa pika të platformës ekonomike që sipas tij opozita i ka përgatitur për të nxjerrë vendin nga varfëria dhe për të luftuar korrupsionin.
Basha është shprehur se në qeverinë që do të drejtojë ai, në radhë në parë do të jenë qytetarët dhe taksapaguesit e ndershëm. Ai denoncoi disa afera të qeverisë Rama, që sipas tij e vuajnë taksapaguesit e ndershëm dhe që kanë sjellë rritje të varfërisë dhe papunësisë në vend.
“Ne besojmë fuqimisht te shpiti i njeriut të lirë, pra më shumë liri individit dhe sipërmarrësit. Më pak shtet arbitrar. Ne kemi një platformë për një shtet shërbëtor të sipërmarrjes dhe jo padron uzurpues, – tha kryeopozitari. – Taksat janë rritur me një total prej 1.5 mld dollarësh në këto 4 vjet. Çdo shqiptar ka paguar 500 dollarë shtesë si rezultat i rritjes së taksave. Ne mbështesin politikën e taksave të ulëta. Ne do nxisim ndërmarrjes që taksat që paguajnë sot, nesër t’i investojmë për shtim të rritjes së punësimit. Ne do vendosim taksën e sheshtë 9% për të ardhurat personale”.
Basha theksoi se koncesionet Partneritet-Publik-Privat do të rishikohen dhe se arsimi dhe rinia do të jenë prioritet absolut i qeverisë së tij të ardhshme: “Taksat do të shkojnë të gjitha për shërbimet e taksapaguesve. Fasadat, palmat në rrugë dhe buzëkuqet do të marrin fund,investime të kota të cilat i kanë shkuar shtetit miliona dollarë dhe që do t’u kthehen qytetarëve. Tatimi mbi dividentin do të zerohet”.
“Kontratat publike do të bëhen transparente dhe nuk do të fshihen siç bën qeveria aktuale, nuk do të ketë më tenderë e koncesione për klientë të qeverisë, – vijoi ai. – Një nga vendimet e para të qeverisë sime do të jetë rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë”.
10 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)