Balta dhe gropat janë përditshmëria e banorëve të Vizbegut, të cilëve assesi t’u ndërtohen rrugët. Pamjet të japin pasqyrë të një vendi të harruar, sikur të mos ishin incizuar vetëm disa kilometra larg qendrës së Shkupit. Me shkrirjen e borës, gjendja e rrugëve është përkeqësuar edhe më shumë. Banorët thonë se disa janë adaptuar dhe nuk dalin nga shtëpia përpos se me veturë, por u dhimbsen fëmijët që për çdo duhet të kalojnë këto rrugë, për të arritur në shkollë.
“Kësaj vetëm mundesh t’i thuash rrugë, se rrugë nuk është. Edhe në kohën e luftës së dytë botërore rrugët më të prishura nuk kanë qenë se sa sot. Po për fat të keq po na dhimbsen fëmija që po e ecin këtë lloç edhe po bëhen viran. Kjo është shteti jonë që nuk kujdeset për gjërat elementare në anën e djathtë dhe të majtë të Vardarit. Ju edhe vetë e shihni. Vet fotografia të tregon se në çfarë gjendje dhe në çfarë halli jemi.”, deklaroi një banor.
“Sot ka ardhur në këtë gjendje, kjo rrugë këtu në Vizbeg që është, ku të doni shkoni ecni, edhe katundet të rrethit të qytetit, nuk e kanë këtë rrugë. Ne jemi të lënë pas dore skajshmërisht. Un jam i Bllacës. Atje me shuar deri në shtëpi e kam të asfaltuar. Atje nuk banoj, po kam shtëpinë. E këtu, e shihni se çfarë rruge.”, tha një banor tjetër.
“Kjo është marri për neve në këtë shekull me qenë kështu. Partitë e tona, hajdutët tonë, merren me kësi punë, e fëmijët e tonë hekin këtu, e vijnë i lypin votat.”, u shpreh një banor.
Banorët thonë se në më shumë raste, ata vetë kanë kontribuuar për mirëmbajtjen dhe meremetimin e rrugëve. Madje, ata thonë se që kur kanë filluar të ndërtohen shtëpitë e para në këtë zonë, vetë iu është dashur që të kujdesen për rrugët.
“Banorët vetë, edhe kanë qenë të themi 100 shtëpi në tërë Vizbegin. Këtë rrugë e kanë drejtuar, e kanë mbushur, ju ka kushtuar rreth 18 mijë marka.”, tha një banor.
Moskujdesi institucional për Vizbegun vazhdon akoma, e banorëve u ka ngelur pak shpresë se rruga ndonjëherë mund të ndërtohet. Nga komuna e Shuto Orizares, nën kompetencë të së cilës është kjo pjesë e Vizbegut, thonë se presin që t’i marrin mjetet nga për ndërtimin e kësaj rruge nga Ministria e Financave. Televizioni SHENJA kontaktoi edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, të cilët thonë se bëhet fjalë për mjete nga fondet IPA, ndërsa marrëveshja është nënshkruar që në muajin tetor të vitit të kaluar. Mbetet që komuna e Shuto Orizares të shpallë tender, dhe kompania fituese e atij tenderi, te merr mjetet për ndërtimin e rrugës.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Banorët e Vizbegut: “As në kohën e luftës së… by tvshenjaofficial