Rreth 600 banorë të ndërtesës, bodrumi i së cilës u përfshi nga zjarri në Çair të Shkupit edhe pas 21 ditësh vazhdojnë të presin përgjigje se kur do të mund të futen në banesat e tyre.
Banorët janë vendosur përkohësisht në banesa të familjarëve të tyre apo neper hotele të Shkupit. Ndërsa edhe gjatë ditës së sotme forcat policore vazhdojnë të qëndrojnë në hyrje të ndërtesës për të siguruar objektin.
“Në ndërtesën të cilën e kaploi zjarri në Çair të Shkupit edhe pas 21 ditësh ende vazhdojnë hetimet, sipas prokurorisë ende nuk ka detaje se cilat kanë qenë shkaqet që e kaploi zjarri këtë ndërtesë”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.
Sipas prokurorisë, gjatë ditës së djeshme janë kryer hetime në bodrumin e kësaj ndërtesë prej ku dyshohet se ka filluar zjarri por ende nuk ka detaje se cilat kanë qenë shkaqet e shkaktimit të zjarrit që la në rrugë mbi 600 banorë të kësaj ndërtese.
“Janë duke u kontrolluar hapësirat e bodrumit ku sipas dyshimeve fillestare ka rënë zjarri. Me detaje për shkaqet e zjarrit do të informojmë pasi të përfundojnë të gjitha hetimet”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Pas zjarrit në këtë ndërtesë banorët u vizituan edhe nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu i cili deklaroi se ekipet e ekspertëve nga instituti sizmologjik kanë konstatuar dhe kanë dhënë leje që banorët të mund të marrin gjësendet e vlefshme apo dokumentet nën përcjellje të policisë por për tu rikthyer tërësisht nëpër banesat e tyre ende pritet raporti final nëse ndërtesa është e sigurt për të jetuar ose jo. Zjarri përfshiu bodrumin e kësaj ndërtese më 2 tetor në ora 1:50 minuta të mëngjesit, ndërsa banorët u evakuuan me ndihmën e zjarrfikësve. Disa prej tyre u asfiksuan nga tymi dhe përfunduan në spital, në mesin e tyre kishte edhe një zjarrfikës. /Alsat.mk