Në kuadër të simpoziumit ndërkombëtar të cilin e organizon Banka për Marrëveshje Ndërkombëtare dhe Banka Popullore e Kinës në Shangai, guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, me ftesë të guvernatorit të Bankës Popullore të Kinës, Pan Gongsheng, realizoi takim dypalësh me homologun e tij kinez.
Gjatë takimit, siç informon Kabineti i Sllaveskit, ishin shkëmbyer mendime për rrjedhat aktuale botërore ekonomike dhe financiare, si dhe për sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në kushte të pasigurisë së rritur në rrethin ndërkombëtar. Njëherësh, ishin ndarë përvoja në lidhje me zbatimin e politikës monetare dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare.
“Gjatë bisedimeve, iu kushtua vëmendje marrëdhënieve tregtare dhe financiare midis dy vendeve, si dhe u shqyrtuan mundësitë për përmirësimin e tyre të mëtejshëm përmes thellimit të bashkëpunimit institucional. U theksua tradita e gjatë e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, si dhe gatishmëria e Bankës Popullore për të forcuar më tej dialogun dhe shkëmbimin e përvojave me Bankën Popullore të Kinës. Bashkëbiseduesit trajtuan gjithashtu mundësitë për bashkëpunim në fushën e transformimit digjital të sektorit financiar, promovimin e përfshirjes financiare, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale përmes shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe praktikave të mira”, thekson Banka Popullore.
Sllaveski dhe Gongsheng u pajtuan se ekziston potencial për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore


