18 April 2018 / 16:15
Vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë integrimin në tregun e vetëm digjital të Bashkimit Europian. Kjo u tha në drekën e mes kryeministrit Zoran Zaev, homologut të tij nga Kosova Ramush Haradinaj, zv/kryeministren shqiptare Senida Mesi, ministrat e vendeve të Ballkanit dhe komisionarin për zgjerim Johanes Han që u mbajt në kuadër të “Samitit digjital për Ballkanin perëndimor”. Në takim është biseduar edhe për iniciativën e institucionalizimit të platformës për hapësirë miqësore për biznes, që do të mbështetet nga qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-ja. Kryeministri, Zoran Zaev tha se transformimi digjital i rajonit do të ndihmojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Ekonomia digjitale është instrument kyç i trendëve bashkëkohore në biznes, arsim, politikë dhe siguri. Përditshmëria vazhdimisht na detyron të mësojmë dhe të zhvillohemi. Në këtë kontekst, jam i bindur se këto ngjarje rajonale do të kontribuojnë në krijimin e tregut rajonal në më shumë sfera, ndërsa elementi kryesor i bashkëpunimit rajonal, lidhjes do të konkretizohet në praktikë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj digjitalizimi mundëson bashkëpunim ekonomik me të gjitha vendet e botës.
Teknologjia informative ka qenë mjet për zgjerimin e angazhimit tonë ekonomik jashtë vendit tonë. Për këtë nuk ka regjim të vizave. Ne nuk mund të udhëtojmë lirshëm, por kjo është një mundësi që të punojmë me shumë ekonomi jo vetëm në kontinent por në gjithë globin – u shpreh Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës.
Euro-komesarja për Ekonomi Digjitale dhe Ekonomi, Maria Gabriel theksoi se rajoni duhet të arrijë nivelin e digjitalizimit të BE-së. Sipas saj, ky proces përfshin digjitalizimin e administratës publike, institucioneve arsimore e shëndetësore, rritjen së sigurisë online dhe zvogëlimin e pagesës së roamingut në rajon. Kjo e fundit pritet të diskutohet edhe në Samitin e majit në Sofje.
Mirëpres vullnetin e operatorëve të rajonit të më bashkëngjiten në një dialog konstruktiv për të zbuluar të gjitha mënyrat për uljen e çmimit të roamingut jo vetëm brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor por gjithashtu edhe me Bashkimin Evropian -theksoi Maria Gabriel, Euro-komesare për Ekonomi Digjitale dhe Ekonomi.
Sipas studimit të fundit të bërë nga Qendra për Studime Evropiane Juglindore, të gjitha shtetet e rajonit kanë filluar digjitalizimin, por prej tyre Shqipëria dhe Maqedonia me ritëm më të shpejtë. Me fjalë të tjera, digjitalizimi do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, edhe atë: marrje të çertifikatave online, tregti online, shërbime shëndetësore dhe arsimore online, sistem tatimor e kadastral online etj.


