VMRO-DPMNE-ja është e sigurt se partneri i ardhshëm i koalicionit në Qeveri, të cilën eventualisht do ta udhëheqin ata, do të pajtohet me kërkesën që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e vendosi si kusht – shfuqizim i balancuesit. Nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikollovski, në konferencën e sotme për media, tha se kjo është diçka e tejkaluar dhe se tani kjo keqpërdoret nga të gjithë grupet etnike në vend.
“Ne mendojmë se punësimet në administratën publike duhet të bëhen sipas cilësisë dhe kjo është mënyra në të cilën duam të ndodhin punësimet në Qeverinë tonë dhe jemi të bindur se partneri ynë potencial në qeveri do t’i ndajë qëndrimet tona. Shohim se në opinion ka edhe parti politike që i ndajnë këto qëndrimet, se duhet të punësohen njerëz sipas cilësisë e jo sipas përkatësisë partiake ose etnike dhe në atë drejtim pres përgjigje pozitive nga partnerët potencialë në qeveri”, tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE.
Dje edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pa përgjigje konkrete rreth kushtit të këtillë të Mickoskit. Megjithatë tha se nuk bëhet fjalë për një kusht të madh.“Balancuesin nuk e kanë vendosur vetëm këto partitë që jemi këtu. Balancuesi është zgjidhje institucionale që të ndiqet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk është ndonjë kusht i madh…”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Mickoski gjatë prezantimit të programit zgjedhor të partisë, i quajtur Platforma 1198, tha se ai që dëshiron të jetë pjesë e koalicionit postzgjedhor, do të duhet të pajtohet që të shfuqizohet balancuesi për shkak se, siç theksoi, i njëjti është i padrejtë dhe diskriminues.