Një ekip i njohur ekspertësh nga Turqia, i udhëhequr nga Bajram Vardar, tashmë ndodhet në Çair dhe ka filluar punën në terren për hartimin e Master Planit zhvillimor të kandidatit të Vlen për kryetar komune, Izet Mexhiti.
Me një përvojë në planifikim urban, arkitekturë dhe menaxhim hapësinor, këta profesionistë po punojnë për të sjellë një vizion modern, funksional dhe të qëndrueshëm për të ardhmen e komunës së Çairit, thonë nga ekipi i tyre.
Në përbërje të ekipit janë disa nga emrat më të respektuar në fushat përkatëse, si:
Nadir Doğan, planifikues urban me diplomë nga Universiteti “Gazi”, themelues i kompanisë ND İMAR A.Ş., i njohur për projektet në shkallë të gjerë në qytete si Stambolli, Bursa, Koxhaeli dhe Trabzon. Ai është ekspert në plane zhvillimore dhe projekte për transformim urban.
Dr. Mustafa Tutar, arkitekt me diplomë nga Universiteti Teknik i Stambollit, me master në University of Missouri (SHBA) dhe doktoraturë në fushën e urbanizmit. Ai është njëherazi edhe pedagog universitar dhe themelues i kompanisë Saydam Tasarım, e cila ka mbi 800 projekte ndërkombëtare në dizajn dhe vizualizim arkitekturor.
Së bashku me ekspertë të tjerë nga Turqia dhe profesionistë lokalë, ky ekip sipas njoftimeve po punon për të ndërtuar një Master Plan zhvillimor gjithëpërfshirës, i cili do të vendosë Çairin në hartën e qyteteve model për zhvillim të qëndrueshëm urban në rajon.