Babai i 21 vjeçarit Andrias Rexhepov nga Shuto Orizari, i cili para katër ditësh ka vdekur në burgun e Idrizovës, në një bisedë për mediet elektronike ka thënë se dyshon se persona nga shërbimet e burgut janë fajtor për vdekjen e tij.
Ai kërkon që urgjentisht të zbardhet rasti dhe të zbulohen arsyet e vërteta për vdekjen, pasi që ka pasur dëshmi nga një i burgosur anonim i cili ka thënë se djaloshin e kanë rrahur komandantët.
“Shokët e djalit tim nga burgu mu lajmëruan se djali im gjendet në spital. Kur kam arritur në spital nuk më lejuan që ta shoh. Pastaj kur shkuam në burgun në Idrizovë, nuk më njoftuan se djali im ka vdekur, kjo gjë ishte shok për neve. Para dy ditëve e varrosëm njërin djalë, por mendimet i kam tek djali tjetër, 22 vjeçari që ende është në burgun e Idrizovës, frikësohem se edhe atij mund që t`i ndodh diçka”, deklaroi Nehru Rexhepov, babai i të vdekurit.
Aktivisti Gege Demirovski theksoi se ka dëshmi që tregojnë se djaloshi është rrahur në burg.
“Apeloj deri tek të gjitha institucionet kompetente që ta zbardhin rastin, në të kundërtën do të dalin mijëra romë në protesta para ministrisë së drejtësisë së Republikës së Maqedonisë”, shtoi Demirovski.