Lidhja Shqiptare ka bërë të qartë pozicionin e saj sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke kushtëzuar mbështetjen e saj me mundësimin e votimit të diasporës edhe në zgjedhjet lokale.
Deputeti i kësaj partie, Elmi Aziri, përmes një deklarate ka bërë të ditur se ndonëse kanë treguar konstruktivitet dhe kanë qenë në funksion të arritjes së një konsensusi gjatë bisedimeve disamujore, ekziston një vijë e kuqe nga e cila nuk do të tërhiqen.
“Gjatë takimeve disa mujorëshe mes partive për Kodin Zgjedhor, Lidhja Shqiptare kishte propozimet e saja edhe për njësitë zgjedhore, edhe për modelin e financimit edhe për shumë çështje tjera! Por ne ishim në funksion të konsensusit! Ajo për të cilën ne nuk heqim dorë është mundësia e votimit të diasporës edhe në zgjedhjet lokale! Është shumë e thjeshtë!”, ka deklaruar Aziri.
Ai ka dërguar një mesazh të prerë për partitë e tjera politike, duke paralajmëruar bllokim të plotë të procesit nëse kjo kërkesë nuk merret parasysh./INA/


