Kandidati i pavarur për komunën e Studeniçanit, Azem Sadiku, në emisionin “Debat në SHENJA”, ka theksuar se është krenar me të gjitha projektet që ka realizuar gjatë drejtimit të tij në komunë, duke veçuar ndikimin pozitiv që ato kanë pasur në jetën e qytetarëve.
“Krenohem me të gjitha projektet, pasi secili prej tyre ka kontribuar në mënyrë të dukshme për përmirësimin e jetës së banorëve. Kryesisht bëhet fjalë për projekte infrastrukturore”, tha Sadiku.
Ai shtoi se gjendja e komunës ka qenë shumë e rëndë kur ai mori drejtimin për herë të parë.
“Studeniçanin e kam gjetur si një fshat të lënë pas dore, ashtu si edhe të gjitha vendbanimet e tjera të komunës. Më parë, kjo komunë ishte lënë në harresë nga ata që e udhëhiqnin,” u shpreh ai.
Sadiku përmendi edhe projektin e tij të parë si kryetar komune gjatë mandatit të parë nga viti 2000 deri në 2005, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e zonës.
“Projekti i parë që realizova në mandatin tim të parë ishte një projekt për kanalizimin fekal në komunën e Studeniçanit, një nevojë themelore për qytetarët”, përfundoi Sadiku.