Zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar 145 denoncime që nga fillimi i fushatës dhe deri në përfundimin e procesit zgjedhor. Rastet më shqetësuese të cilat kanë kërkuar mbrojtje nga ky institucion, theksohet se kanë qenë denoncimet për obligim të administratorëve dhe punonjësve nëpër institucionet publike si dhe kërcënimet që u janë bërë atyre se nëse nuk e bëjnë të njejtën do të largohen nga vendi i tyre i punës. Gjatë një brifingu me gazetarët, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, tha se në këto zgjedhje ka pasur shfrytëzim të institucioneve për qëllime partiake, ndërsa njëri ndër ata institucione është edhe Komuna e Karposhit.
“Një kompani publike në Ohër ka detyruar të punësuarit që të shkojnë nëpër mitinigje dhe u ka thënë se nëse nuk e bëjnë këtë do të largohen nga puna. Të punësuarit janë frikësuar. Në Shkup kemi pasur dy raste, në Ndërmarrjen për Transport Publik dhe në Komunën e Karposhit, kanë detyruar që të punësuarit të shkojnë nëpër tubime gjatë orarit të punës. Kemi kërkuar kontroll të sistemin për hyrje dhe dalje të punëtorë, nga Komuna e Karposhit thonë se është prishur sistemi, ndërsa nga ndërmarrja në fjalë nuk japin informata rreth kësaj”, kanë thënë nga Avokati i Popullit.
Sipas Memetit, akoma mbetet shqetësuese lista zgjedhore. Ai thotë se ka pasur denoncime nga qytetarët të cilët kanë qenë të regjistruar në listën elektronike, por nuk kanë qenë në listën e printuar në ditën e zgjedhjeve dhe nuk kanë mundur të votojnë. Përveç kësaj, ka pasur denoncime edhe për votues fantom. Qytetarët që kanë paraqitur këto raste, kanë thënë de në adresën e tyre nuk mund të gjejnë veten dhe janë të regjistruar persona të tjerë. Memeti ka thënë se këto raste i ka paraqitur në MPB dhe se nga atje I kanë thënë se janë pastruar nga ato adresa, megjithatë ato kanë qenë përsëri në listë.
“Kemi pasur raste kur qytetarë të 18-19 vjet nuk ka qenë i regjistruar në listën e rregullt, por në listën e diasporës, edhe pse asnjëherë nuk ka qenë jashtë shtetit. Evidentimi është shumë i dobët. Nuk e dijnë ku ndodhen qytetarët. Organet që janë kompetente për organizimin e zgjedhjeve kanë kapacitete të dobëta. Profesionalizmi i organeve zgjedhore nuk është përmbushur plotësisht”, thuhet më tej.
Po ashtu, Memeti ka thënë se një e treta e të burgosurve nuk kanë qenë në listë, ndërsa një pjesë e personave të sëmurë dhe të pafuqishëm nuk u është mundësuar e drejta për realizimin e votës së tyre. Si parregullsi që kanë karakterizuar fushatën zgjedhore, Memeti theksoi edhe hapjen e shtabeve partiake nëpër shkolla.
Teuta Buçi /SHENJA/
https://www.dailymotion.com/video/x554i0y_avokati-i-popullit-institucionet-kane-frikesuar-te-punesuarit_news