Në seancën e dytë gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë, nuk munguan debatet mes palëve, ku përsëri u kërkua lirimi me masë të butë i kreut të Partisë së Lirisë, i arrestuar prej 21 tetorit 2024.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, teksa mori fjalën në sallë sot (11 maj), u shpreh se ndaj ish-presidentit Prokuroria e Posaçme nuk ka dhe nuk jep prova, teksa nënvizoi se Meta nuk erdhi në këtë seancë të dytë pasi nuk ka besim të Gjykata.
Avokati iu referua edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, sa i takon masës së sigurimit arrest në burg. Ai tha se Meta duhet të lihej në masën detyrim paraqitjeje.
“Meta ka 19 muaj në paraburgim. Gjykimi në themel ende nuk ka filluar dhe nuk dihet kur do të përfundojë. GJKKO e justifikoi masën me faktin se i pandehuri mund të dëmtojë provat duke intimiduar dëshmitarët. Rreziku i intimidimit të dëshmitarëve mbetet spekulativ. Prokuroria thotë që do prishë prova, por se cilat janë provat nuk e thotë. Prokuroria thotë që do të intimidojë dëshmitarët, por nuk thotë se cilët dëshmitarë do të intimidojë”, u shpreh Cakrani mes të tjerash gjatë seancës.
Më tej ai depozitoi edhe kërkesën e radhës:
“Ne kërkojmë që ish-presidenti të ketë një masë më të butë”.
Dhe këtë kërkesë e mbështeti në precedentin e fundit të zbutjes së masës ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
“Ajo ishte edhe për “grup kriminal” dhe Gjykata e Lartë e liroi nga “arresti në shtëpi”, vijoi avokati.
Ilir Meta nuk ishte gjatë kësaj seance, pas akuzave të forta që lëshoi në seancën paraprake, teksa e cilësoi procesin si turp, sikurse edhe mbylljen e tij në kafaz.
“Klienti im nuk ka besim tek gjykata, ndaj nuk ka ardhur sot këtu. Pse duhet të vazhdojë paraburgimi. Kanë ndryshuar të gjitha kushtet. Të reflektojë gjykata”, përfundoi Cakrani.


