Qytetarë të cilët protestonin kundër rritjes së çmimeve janë shoqëruar sot nga policia në zonën e Zogut të Zi në Tiranë. Por ajo që bie në sy është prezenca e disa civilëve, të cilët me dhunë kanë tërhequr zvarrë një të ri në mes të rrugës.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë akt është fakti se e gjithë skena ka ndodhur në sy të gazetarëve dhe të mediave, që i kanë kërkuar të identifikohen se cilët janë ata persona që bëjnë shoqërime të kësaj natyre.
Ndërkohë i riu në gjendje tepër të rënduar psikologjike i kërkon policisë ndihmë.
“Policia të lutem, çfarë ju kam bërë, nuk kam bërë asgjë”, dëgjohet të thotë qytetari që u tërhoq zvarrë nga personat civilë.
E ndërsa të pyetur nga gazetarët, “se kush jeni ju”, civilët janë përgjigjur “na lini të bëjmë punën tonë”.



