Me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë blerjes, transportimit, ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, për të shmangur helmimet ushqimore.
Sipas AUV-së, temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shumimin e baktereve në ushqim, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia rekomandon që ushqimet të blihen vetëm në pika të verifikuara të shitjes, ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore, ruhen në kushte të përshtatshme frigoriferike. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të shmangin blerjen e produkteve me ambalazh të dëmtuar ose të fryrë, ndërsa ushqimet e ftohta dhe të ngrira t’i marrin në fund të blerjeve për të ruajtur zinxhirin e ftohtë.
AUV rikujton se produktet që prishen shpejt, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të lihen për periudha të gjata në automjete ose të ekspozohen ndaj temperaturave të larta, pasi kjo rrit rrezikun e zhvillimit të mikroorganizmave të dëmshëm.
Përveç kujdesit për ushqimin, Agjencia paralajmëron se vala e të nxehtit paraqet rrezik edhe për shëndetin e kafshëve. Pronarëve u rekomandohet t’u sigurojnë kafshëve ujë të freskët dhe të mjaftueshëm, si dhe ushqim të sigurt, duke shmangur ekspozimin e tyre ndaj temperaturave ekstreme.



