
Derisa Prishtina përuron pjesë të autostradës “Arbër Xhaferi”, Shkupi zyrtar vazhdon ta lëjë mënjanë këtë projekt. Në kuadër të këtij projekti, një segment të autostradës Shkup-Prishtinë, prej rreth 13 kilometrash duhet ta realizoj Qeveria e Maqedonisë. Por rruga Shkup Bllacë, pra pjesa e autostradës që lidh Maqedoninë dhe Kosovën mbetet akoma një projekt i pafilluar dhe i njëjti ka mbetur vetëm në letrën e platformave të njëpasnjëshme të Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo që po premton këtë projekt disa cikle zgjedhore radhazi. Ish zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, në prill të vitit 2014 para biznesmenëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, premtoi se nëse BDI fiton zgjedhjet partia e tyre do të punojë me përkushtim që të realizoj mes të tjerash edhe këtë projekt.
“Projekte strategjike që përmenden janë: Korridori 8, autostrada Shkup-Ohër-Strugë-Qafë Thanë dhe pastaj Shkup-Bllacë, që kanë qenë kërkesa e dhe të OEMVP-së.”, kishte deklaruar Fatmir Besimi, ish zv/kryeministër për çështje evropiane (prill 2014)
Në nëntorin e po të njëjtin vit, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri, në mesin e projekteve të përbashkëta me Kosovë, shpalosi edhe autostradën në fjalë në konferencën për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Vjenë.
“Projekti i parë për të cilin ramë dakord si dy ministra është projekti infrastrukturor, rrugor i cili do të lidhë pikën kufitare Bllacë dhe Shkup”, kishte deklaruar Bekim Neziri, ish ministër i Ekonomisë (nëntor 2014)
Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade ishte premtin i BDI-së edhe në zgjedhjet e fundit. Në kuadër të fushatës zgjedhore, Artan Grubi dhe Ejup Alimi nga kjo parti gjatë një paraqitje kanë premtuar ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-së, por nuk është përmendur asnjë afat se kur do të ndërtohet.
Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që kjo rrugë të ndërtohet me modalitetin privato-publik, por i gjithë projekti ende është në fazën fillestare. Qeveria nuk ka një Plan B në letër për këtë rrugë nëse dështon dhënia me koncesion, por aktualisht ka vetëm marrëveshje gojore mes partnerëve të koalicionit.
Teuta Buçi /SHENJA/
Autostrada Shkup-Bllacë vetëm premtim (VIDEO) by tvshenjaofficial